Me 3.4 kg kokainë dhe dhjetëra shishe alkool kontrabandë, arrestohet 32-vjeçari

Shqipëria

Me 3.4 kg kokainë dhe dhjetëra shishe alkool kontrabandë, arrestohet 32-vjeçari

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 09:26
Foto ilustrim

Policia në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit ka kapur 3.430 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, si dhe mallra të kontrabanduara.

Gjatë operacionit të finalizuar nga shërbimet e PKK Muriqan, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, u arrestua shtetasi A. Rr., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i cili drejtonte furgonin ku u gjetën droga dhe produktet e paligjshme.

Policia bën me dije se u sekuestruan gjithashtu 60 shishe me pije alkoolike dhe një televizor që dyshohet të jenë kontrabanduar, pasi nuk ishin të shoqëruara me fatura blerjeje.

Uniformat blu sekuestruan gjithashtu automjetin dhe dy celularët e të arrestuarit si prova materiale.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

“Si rezultat i intensifikimit të punës dhe kontrolleve në hyrje/dalje të vendit, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, lëvizjen e sigurtë të shtetasve, si dhe eliminimin e rradhës gjatë kësaj periudhe festive, shërbimet e PKK Muriqan, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Pakot”. Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi A. Rr., 32 vjeç, banues në Lushnjë”, njofton policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat