Gjatë 2024 krimet në familje ishin thuajse njësoj me vrasjet nga krimi i organizuar

Shqipëria

Gjatë 2024 krimet në familje ishin thuajse njësoj me vrasjet nga krimi i organizuar

Më: 1 janar 2025 Në ora: 20:01
Ilustrim

Familja është një vend i rrezikshëm në Shqipëri. Krimi në familje la të vrarë thuajse po aq persona, sa ka vrarë edhe krimi i organizuar me atentate.

Shifrat janë domethënëse, nga mbi 50 të vrarë në vitin 2024, 15 janë viktima nga krimi i organizuar në atentate, ndërsa 10 janë viktima nga dhuna në familje, apo persona të afërt.

“Në të vërtetë niveli i dhunës ose i krimeve në familje është rritur gradualisht për shumë arsye. Në radhë të parë është procesi i akulturimit, i përshtatjes me mjedisin e ri social-ekonomik dhe zhvillimet e reja. Ndryshimi është i vështirë dhe i dhimbshëm për shumë arsye. Ata që vijnë nga zonat rurale mbartin një kulturë të trashëguar patriarkale, ndërkohë që në zonat urbane në qytet gjen nevojën për të për të zhvilluar kulturën individualiste, Kjo lloj përplasjeje kulturash çon përplasje krijon konflikte deri në nivele krimesh”-shprehet sociologu Edmond Dragoti.

Ndër ngjarjet më të rënda brenda familjes ishte ajo e nënës në Shkodër, e cila në kushte të rënduara psikologjike, mbyti tre fëmijët e mitur në Lumin Buna. E tillë ishte edhe ngjarja e Shënavlashit, ku një familje e tërë, nëna bashkë me fëmijët organizuan vrasjen dhe groposjen e Pëllumb Metës.

Problemi i vrasjes në familje, është ‘eksportuar’ ndjeshëm edhe në familjet shqiptare që jetojnë në Greqi dhe Itali. Rasti më i fundit dhe më i rëndi, ishte masakrimi nga bashkëshorti i Alba Cenkos.

Për sociologun Edmond Dragoti, mospërshtatja e familjeve shqiptare me kulturën e vendit ku jetojnë e punojnë dhe paqëndrueshëmëria ekonomike janë shkaqet kryesore.

“Në vendet ku kanë emigruar shqiptarët, Greqi, Itali, ndihet gjithnjë e më shumë prania e dhunës në familje apo e krimit. Këto janë shfaqeje të pastra të procesit të akulturimit të shqiptare. Nevoja për mirëqenien ekonomike, punësimi i pasigurt në këto vende i bën marrëdhëniet mes partnerëve të paqëndrueshme”.

Megjithatë, në bilancin e rëndë të vitit 2024 për vrasjet, një numër të lartë zënë konfliket e çastit, apo motivet krejt banale. Gjatë vitit që lamë pas numërohen po ashtu 4 adoleshentë të vrarë, ndërsa shifra më e trishtë është ajo e viktimave që fati e deshi të ishin në vendin dhe kohën e gabuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat