Fundviti i shkuar Sali Berishën e gjeti të mbyllur mes katër mureve të banesës së tij. Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK izoloi liderin e Partisë Demokratike, duke i hequr dhe të drejtën e komunikimit me këdo jashtë banesës së tij.
Për shumëkënd ky duhet të ishte kapitulli i fundit politik i Sali Berishës, por lideri demokrat nuk bëri asnjë hap pas. Rruga e cila mbart emrin e heroi të popullit Mustafa Matohiti, deri në fundvitin e shkuar njihej në Tiranë për lokalet e natës, teksa shumëkush linte takim duke iu referuar në gjuhë popullore si “rrugica e Salës”, duke e evidentuar me banesën e ish-kryeministrit.
Me arrestin shtëpiak të Berishës, u kthye në vend pelegrinazhi për demokratët dhe ishte vetë lideri demokrat që e pagëzoi si “Rruga e Shpresës”.
Fjalimet e përnatshme të Sali Berishës, e shndërruan ballkonin e banesës së tij në foltoren e partisë, ku vendimet më të rëndësishme kumtoheshin për herë të parë prej aty.
Arresti shtëpiak nuk e pengoi Berishën të kryente funksionet e tij politike, por edhe të kryente takime që frutet i dhanë shumë shpejt.
Grupi Parlamentar përveç bashkimit nisi që mbledhjet t’i mbajë në seli dhe të gjithë bënin thirrje për unitet. Banesa e tij u kthye më pas në ambient zyrtar pune, ku përveç fjalimeve në mbrëmje për mbështetësit, prej andej jepte mesazhe si për gazetarët, për pjesëmarrësit në protesta por edhe organizonte mbledhje me strukturat drejtuese të PD.
Nga arresti shtëpiak mori dhe lajmin e mirë se Partia Demokratike i takon atij, ku Gjykata e Apelit vendosi që t’i japë vulën dhe logon.
Teksa vijonte izolimin me sytë nga gjykata, ku avokatët e tij dorëzonin kërkesa herë pas here, Sali Berisha nisi edhe aksionin që e quan mosbindja civile. Por a është mosbindja civile rruga e duhur për të arritur qëllimet?
Nga ana tjetër demokratët janë angazhuar edhe në arenën ndërkombëtare, ku kanë arritur që të bindin tre forume ndërkombëtare për të miratuar rezoluta që dënojnë sjelljen e qeverisë me kundërshtarët e saj.
Berisha i ka cilësuar si mbështetje për Partinë Demokratike dhe ka kërkuar prej të tijve, që kjo fushatë në arën ndërkombëtare të vijojë. Por a ka një ndryshim të qasjes së ndërkombëtarëve me Berishën? Zgjedhjet po afrojnë dhe tashmë Partia Demokratike duket se ka hedhur pas krahëve shumicën e problemve të saj të brendshme.
Sali Berisha prej një muaji është në liri, dhe kërkesa që artikulohet prej tij dhe gjithë të tjerëve në selinë blu është qeveria teknike dhe arritja e fitores në zgjedhje.
Por a fiton dot PD me Berishën në krye? Pavarësisht gjithë skepticizmit, Sali Berisha është shprehur me bindje se në 2025 rikthehet në krye të vendit.
Por statuti i demokratëve në rast të humbjes së zgjedhjeve flet për pasoja kundër kryetarit, ku kërkohet dorëheqje dhe moslejim për kandidim.
“Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”, statuti i PD.
Brenda radhëve të Partisë Demokratike, përveç se nuk artikulohet as nuk mendohet për zëvendësimin e Berishës.
Të gjithë flasin për fitore në 11 maj dhe kanë nisur të bëjnë llogaritë për qeverisjen e Berishës, por a është ky shansi i fundit politik për të? Duke mos pritur rezultatin e bastit, analistët kërkojnë reflektim prej tij dhe lexim të votës së shqiptarëve dhe tërheqje.