Komuniteti hebre në Shqipëri ndezi dje në mbrëmje në sheshin “Nënë Tereza”, dritën e tetë dhe të fundit të Festivalit të Dritave, apo Festës Hebraike “Hanukkah”, siç njihet botërisht ajo.
Këtë vit festa Hanukkah nisi në mbrëmjen e 25 dhjetorit 2024 dhe mbyllet sot në ditën e tetë, më 2 janar 2025.
Të pranishëm në ceremoninë simbolike ishin kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga djali i tij, Zaho, ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan, hebrenj të ardhur nga SHBA, Izraeli dhe Europa, si dhe pjestarë të komunitetit hebre.
Kryeministri Edi Rama teksa uroi për festën, theksoi se hebrenjtë janë të mirëpritur në Shqipëri.
“Një komunitet i vogël, por shumë kuptimplotë. Po shoh këtu disa fytyra miqsh. Iu uroj të gjithë të pranishmëve këtu dhe familjeve të tyre, kur në këtë moment ndezja e dritës së tetë të Hanukah lidhet me ditën e parë të Vitit të Ri. Ambasadorja Galit është një mike shumë e dashur dhe po e përfaqëson Izralin këtu në Shqipëri, jo vetëm me dinjitet, por gjithashtu dhe me shumë energji pozitive. Dua të përshëndes edhe të ardhurit e rinj hebrenj në këtë festë, se janë shumë të mirëpritur në Shqipëri. Zoti ju bekoftë të gjithë, Zoti bekoftë Shqipërinë, të gjithë hebrenjtë kudo ku ata janë”, tha Rama.
Ambasadorja e Izraelit, Galit Peleg, në fjalën e saj veçoi mbështjetjen e madhe të Shqipërise, duke e konsideruar me krenari, si vendin më dashamirës në botë ndaj Izraelit dhe vlerësoi rolin e kryeministrit Rama dhe të qeverisë shqiptare në krijimin e një klime të ngrohtë.
“Të jem këtu sonte dhe të ndez dritat e Hanukkah është shumë emocionuese për mua. Nuk është sekret, por rabini është shumë pozitiv, shpërndan shumë dritë. Ne jemi ndoshta në vendin më miqësor në botë ndaj Izraelit. Miqësia e Izraelit është më e fuqishme se kurrë”, tha ambasadorja Peleg, e cila në fjalën e saj emocionuese u lut edhe për lirimin e pengjeve izraelite nga organizata terroriste Hamas.
Gjatë Holakaustit, Shqipëria u ofroi strehë dhe ushqim një numri refugjatësh hebrenj nga Gjermania, Austria, Kroacia dhe Serbia.
Shqipëria është një nga vendet e paktë në Europës, që kishte më shumë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore se në vitin 1939.
Aktualisht, popullsia me origjinë hebreje numëron rreth 100 veta dhe kryesisht të vendosur në Tiranë. Ceremonia e organizuar nga Sinagoga e Tiranës nisi me një dokumentar filmik të shkurtër të festimit të Hanukkah në botë.