Shkrimtari Ylljet Aliçka, autor i librave të përkthyer në 14 gjuhë të ndryshme të botës, beson se të huajt kanë një perceptim për Shqipërinë, i cili nuk përputhet me realitetin.
Sipas tij, shpesh edhe në opinionet institucionale ndërkombëtare mbizotërojnë qëndrimet klishe ndaj shqiptarëve, duke i përgjithësuar në disa tipare shqiptarët e bunkerëve, të gjakmarrjes, të kriminalitetit, gjë që nuk përkon me realitetin shqiptar. “Mendimi im është që realiteti shqiptar është më i mirë se perceptimi, inercia e perceptimit ndërkombëtar”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, ai foli edhe mbi dukurinë e largimit të të rinjve nga Shqipëria. Duke vënë në dukje se largimi i të rinjve është një fenomen global, ai tha se në rastin e Shqipërisë duhet vëmendje ndaj studentëve, rritja e standardeve si edhe kërkimit shkencor në universitete. “Numri i studentëve, është fakt që është ulur shumë në universitetet shqiptare. Ka hapësira për të bërë gjithçka, edhe në politika, por edhe vetë universitetet, angazhimet e brendshme të universiteteve”, u shpreh ai.
Zëri i Amerikës: Cilat takime u kanë sjellë në Shtetet e Bashkuara në kuadër të krijimtarisë suaj?
Ylljet Aliçka: Nuk janë shumë, janë dy takime, një nga federata “Vatra” në Nju Jork, pas dy ditësh, data 4 janar, dhe një në Boston. Takime do të kemi me miq, me intelektualë që po shfrytëzoj rastin, nuk është se vij shpesh në Amerikë, është hera e dytë në jetën time dhe e pres me kënaqësi këtë ftesë.
Zëri i Amerikës: Librat tuaja janë përkthyer në së paku 14 gjuhë të huaja dhe shpesh herë këto libra nxisin diskutime, debate mbi tema që kanë të bëjnë me perceptimin e Shqipërisë nga të huajt. Si e shihni ju perceptimin që ka bota për Shqipërinë dhe sa mendoni se ndikojnë librat në këtë perspektivë të tyre?
Ylljet Aliçka: Është konstatim me vend, është të themi, në një plan më të përgjithshëm, do të thosha këtë, që për një vend të vogël si Shqipëria, që nuk ka ndonjë peshë të madhe në arenën ndërkombëtare, ka gjithmonë vend për të ballafaquar dilemat e perceptimeve të të huajve për Shqipërinë, ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas perceptimet e shqiptarëve ndaj të huajve. Mendimi im personal ndoshta është që shpesh herë ato parimet standarde, në bllok të institucioneve ndërkombëtare, ose qoftë edhe të imazhit të Shqipërisë, perceptimeve ndaj Shqipërisë, përgjithësisht nuk përputhen plotësisht ose me realitetin që është kompleks, i koklavitur, në fund të fundit si çdo vend, mbi Shqipërinë, gjë që krijon shpesh herë trauma qoftë të niveleve individuale, qoftë në nivele institucionale që ndikojnë shpesh edhe në vendimmarrjet institucionale të Shqipërisë.
Pra ka një hendek, i cili për fat të mirë falë globalizmit, falë sidomos rritjes së turizmit në Shqipëri, hyrjes së shumë të huajve, nuk po them se Shqipëria është vendi ideal në të gjitha pikëpamjet, por ka gjithmonë një hendek... qytetari i mesëm perëndimor të themi, nuk është se e njeh Shqipërinë ashtu siç është në realitet. Unë do të thosha me tepër anon nga ana negative në raport me realitetin shqiptar, por është një evolucion, një proces i cili po vjen duke u përmirësuar.
Qëllimi im, për të ardhur tek pyetja juaj, kam disa romane, besoj po mbanit parasysh librin “Ndërkombëtarët”, por mendoj që në momentin që u botua pati një impakt të fortë në opinionin publik, u përpoqa të demitizoj këtë rëndësinë e ndërkombëtarëve ndaj vendit tonë, të themi mendimin, nënshtrimin nuk mund ta quash, por absolutizimi i mendimit të ndërkombëtarëve pa pasur një mendim, një reagim të pavarur, kritik, qoftë dhe analizë kritike të gjithçkaje. Shpesh herë në opinionet institucionale mbizotërojnë edhe qëndrimet ose perceptimet klishe, ekzotike ndaj shqiptarëve, duke i grumbulluar, duke i përgjithësuar në disa tipare shqiptarët e bunkerëve, të gjakmarrjes, të kriminalitetit, gjë që nuk përkon me realitetin shqiptar. Mendimi im është që realiteti shqiptar është më i mirë se perceptimi, inercia e perceptimit ndërkombëtar. Kjo është një nga temat që më ka intriguar, në librat e mi.
Përveç se krijimtarisë, ju jeni edhe profesor në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe dua t’ju pyes, nga komunikimet tuaja të përditshme që keni me studentët mbi një çështje që është shqetësuese për shoqërinë shqiptare, që është largimi i të rinjve. Çfarë mendoni ju se i ndikon të rinjtë shqiptarë në dëshirën e tyre për t’u larguar dhe çfarë mund të bëhet në këtë drejtim?
Ylljet Aliçka: Gjithçka mund të bëhet. Së pari njëherë, fenomeni i largimit të të rinjve është fenomen global. Çdo i ri, çdo familje, ka interes që fëmijët e tyre të marrin arsmimin më të mirë të mundshëm dhe lëvizja e studentëve në botë është një tendencë universale. Kohët e fundit është theksuar në Shqipëri dhe kjo lidhet me dobësitë shpeshherë të nivelit akademik të universiteteve shqiptare, në renditjen e tyre në botë. Dhe çfarë mund të bëhet...
Zëri i Amerikës: Në nivel të politikave, pra të vendimmarrjes, por edhe në nivel të vetë shoqërisë...
Ylljet Aliçka: Edhe në nivel të politikave ka shumë hapësirë për të bërë. Do një vëmendje më të madhe, sidomos në atë që quhet aspekti i kërkimit shkencor të universiteteve, rritja e standardeve. Universitetet kanë autonominë e tyre; kanë politika të vetëbërjes së politikave të brendshme të universiteteve. Është momenti që Shqipëria mund të hapë hapësira për studentë të huaj që vijnë nga Azia, ose nga Lindja e Mesme, të cilat kanë filluar; kjo tendencë, kjo prirje kanë filluar të aktualizohen dhe sa më shumë universitete të krijojnë kushte, universitetet shqiptare flas, të krijojnë kushte edhe për marrjen e studentëve nga jashtë. Dhe këtu përfitoj të them që Shqipëria nuk vuan për staf akademik. Ka pedagogë të formuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe sidomos në universitetet më të mira të botës, të cilët për fat të mirë po kthehen në Shqipëri gjithnjë e më shumë. Ka që rrinë edhe ikin, por ata që studiojnë jashtë nga ana tjetër kanë edhe një feedback, një kthim të pedagogëve të mirë, të cilët studiojnë nëpër universitete, marrin doktoratura, PhD, nëpër universitete të mira të botës, jo vetëm të Europës, në Amerikë etj. Dhe dua të them që ky aspekt ka nevojë natyrisht më tepër për politika, të hapësirave për të përmirësuar politikat ndaj arsimit të lartë. Ka përpjekje, por fakti është që ka shumë ikje. Për shembull, numri i studentëve, është fakt që është ulur shumë në universitetet shqiptare. Ka hapësira për të bërë gjithçka, edhe në politika, por edhe vetë universitetet, angazhimet e brendshme të universiteteve.
Zëri i Amerikës: Do të doja t’ju pyesja mbi fjalorin e fundit, fjalorin e madh që ka publikuar Akademia e Shkencave. Duhet thënë se shqipja në kohërat moderne po përballet me një trysni që vjen nga vendet e huaja, nga gjuhët e huaja. Dhe cila është sipas mendimit tuaj sfida për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga ana e shoqërisë shqiptare?
Ylljet Aliçka: Vetë ky fjalori, është fjalori më i madh deri më sot i gjuhës shqipe, unë mendoj që erdhi në kohën e duhur. Madje erdhi me vonesë. Jemi nga vendet e fundit që kemi një fjalor të dimensioneve të tilla, të përmasave të tilla, i cili ka një pasuri të madhe, në raport me gjithë fjalorët e mëparshëm. Janë bërë shumë fjalorë të mëparshëm të gjuhës shqipe, por jo të tilla dimensioneve siç thashë, kur bëhet fjalë për një pasuri prej 110 mijë fjalësh. Pra, është fjalor i përzier, leksik dhe i frazeologjive. Ka me sa di unë, 11 mijë fraza, 110 mijë fjalë. Pra, të këtyre dimensioneve s’është bërë ndonjëherë. Do e konsideroja në një plan më të gjerë. Është një gur kilometrik në kulturën e një vendi, jo vetëm në aspektin le të themi të gjuhësisë. Kini parasysh që vendi ynë, shqiptarët, identiteti kulturor i shqiptarëve, në dallim edhe nga vendet e tjera që mund të kenë fenë, si bazë identiteti, shqiptarët kanë gjuhën. Gjuha shqipe është guri themeltar i identitetit, ai që i lidh, që i bashkon shqiptarët kudo që janë. Ky është prapë vërtet një moment kulturor shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Për atë që thatë ju, se kush janë ndikimet në shoqërinë shqiptare për të ruajtur gjuhën shqipe të pastër, etj. Me sa di unë, ky fjalor ka edhe aspektin informativ, që do ta quajë unë, pra informues dhe normativ. Pra, do të diktojë respektimin e standardeve të gjuhës në nivel natyrisht shoqëror dhe kryesisht në nivel institucional, i cili ka shumë vakume, ka shumë problematika të tilla. Është një nga momentet kryesore, një nga boshtet kryesore. Me sa di unë, Akademia e Shkencave ka tre momente thelbësore që i ka në proces. Është fjalori që sapo u mbyll. Është Historia e Shqiptarëve dhe Enciklopedia e Shqiptarëve, që sipas informacionit tim janë pranë finalizimit të tyre./VOA