Kompanitë me kapital shtetëror dhe institucionet e qeverisjes vendore po konsiderojnë përdorimin e obligacioneve si një formë e sigurimit të financimeve në tregun e brendshëm financiar.
Në këtë drejtim, po angazhohet edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), që ka kontraktuar dy ekspertë për konsulencë lidhur me përdorimin e këtyre instrumenteve.
Muajt e fundit, janë kryer gjithashtu sondazhe me aktorët e tregut dhe kryesisht investitorët institucionalë, për të testuar gatishmërinë e tyre për të investuar në këto instrumente.
Në vitin 2023, qeveria shqiptare miratoi dokumentin politik “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023–2027”. Dokumenti parashikon disa objektiva konkretë që përfshijnë institucionet dhe kompanitë publike si nxitëse të zhvillimit të tregut të kapitalit në Shqipëri. Ndër objektivat e përmendura në dokument është pikërisht emetimi i obligacioneve të kompanive me kapital shtetëror, përveçse edhe realizimi i privatizimit të kompanive me kapital shtetëror nëpërmjet ofertës publike.
Shqipëria në vitet e fundit ka arritur të ketë më në fund një bursë funksionale, megjithëse me aktivitet në përmasa shumë modeste. Bursa Shqiptare e Titujve ALSE u licencua nga AMF në vitin 2017 dhe nisi aktivitetin në vitin 2018.
Gjatë këtyre viteve, volumet e tregtimit në bursë kanë qenë mjaft të vogla dhe të kufizuara në titujt e borxhit të qeverisë shqiptare. Vetëm në vitin 2023 u arrit të bëhej për herë të parë listimi i titujve të një shoqërie private. Institucioni financiar NOA emetoi obligacione me ofertë publike në formën e borxhit të varur, për një shumë totale prej 500 milionë lekësh. Më pas, obligacionet u listuan në Bursën ALSE. Volumi i tregtimit të tyre qysh nga regjistrimi në Bursë ka qenë i konsiderueshëm.
Sipas të dhënave të publikuara nga Bursa ALSE, për 9-mujorin 2024 vlera e tregtimit të obligacionit të institucionit financiar jobankë NOA arriti në 77 milionë lekë.
Vlera e tregtimit dytësor të këtyre titujve është rritur me 157% krahasuar me vlerën totale të tregtuar gjatë vitit 2023. Megjithatë, obligacioni i NOA u emetua vetëm në në mesin e vitit 2023, ndërsa transaksionet e para të tregtimit në bursë u regjistruan në muajin gusht.
Një rekomandim tjetër në dokumentin për zhvillimin e tregut të kapitalit ka qenë edhe përfshirja e Shtetit Shqiptar si aksionar në strukturën e kapitalit të Bursës. Sipas dokumentit, është shumë e rëndësishme që në kuadër të rritjes së besueshmërisë të tregut, por edhe të kërkesave për anëtarësim në bursë, të cilat deri tani janë tepër të kufizuara, mund të shikohet mundësia për t’u përfshirë edhe shteti si aksionar në Bursë.
Në mesin e vitit të kaluar, Ministria e Financave ishte shumë pranë pjesëmarrjes në strukturën aksionere të Bursës. Palët kishin arritur një marrëveshje në parim që qeveria të merrte një paketë pakice prej 15% të aksioneve. Megjithatë, për arsye të paqarta, Ministria e Financave u tërhoq dhe transaksioni nuk u finalizua.