Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy efektivë policie Alvaro Sulejmani, efektiv në Komisariatin e Policisë Himarë dhe Kidi Sulejmani, efektiv i Policisë Kufitare Sarandë.
Të dy efektivët u përfshinë në një konflikt të dhunshëm me armë zjarri, të ndodhur më 2 janar në fshatin Gjashtë. Vendimi u mor pas seancës së zhvilluar sot, ku u shqyrtuan provat dhe dëshmitë e mbledhura nga grupi hetimor.
Ndërkohë, për pjesën tjetër të personave të përfshirë, punonjës të tjerë policie dhe persona civilë, gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Konflikti i dhunshëm dyshohet se ka nisur për një mosmarrëveshje mbi një makinë me qira. Gjatë hetimeve, në vendngjarje u gjetën 6 gëzhoja armësh zjarri, duke konfirmuar përdorimin e armëve në përplasjen mes palëve. Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë u përdorën si prova kyçe për vendimin e gjykatës.