Pas 6 muajsh pa pagesë, autostrada Thumanë-Kashar nis tarifat e kalimit për mjetet

Shqipëria

Pas 6 muajsh pa pagesë, autostrada Thumanë-Kashar nis tarifat e kalimit për mjetet

Më: 5 janar 2025 Në ora: 18:39
Ilustrim

Prej 4 janarit në autostradën Thumanë-Kashar ka nisur aplikimi i tarifës së kalimit. Kompania koncesionare që ka ndërtuar dhe mirëmban të vetmin aks rrugor të kategorisë “A”, njoftoi që në dhjetor nisjen e aplikimit të tarifës, pas 6 muajsh kalim pa pagesë.

Për të udhëtuar në veprën e re infrastrukturore 21 kilometër e gjatë, motoçikletat me cilindratë mbi 250 centimetër kub do të paguajnë 170 lekë, ndërsa automjetet 250 lekë ose 2.5 euro. Për kamionët, autobusët dhe mjetet me 2 apo tre kate e lartësi mbi 2.2 metër është aplikuar tarifa 620 lekë. Ndërkohë mjetet me 4 ose më shumë akse do të paguajnë 870 lekë ose me kursin e këmbimit, 8.8 euro.

“Ja vlen. Duhet edhe pjesët e tjera të jenë si kjo. Shkurton kohë dhe ecën komod. Në Evropë tarifat janë edhe më të larta”, thane disa drejtues automjetesh.

Autostrada Thumanë-Kashar u hap për qarkullim të automjeteve në fund të qershorit të vitit të shkuar. Vepra infrastrukturore pjesë e “Korridorit Blu” është e para e kategorisë “A” në Shqipëri, duke hedhur kështu një “gur themeli” drejt një standardi të ri. Autostrada përmbush të gjitha kriteret e Bashkimit Europian, ku shpejtësia e lëvizjes është 130 kilometër në orë.

Vepra infrastruktuore që nis nga Thumana e që lidhet me Autostradën Tiranë-Durrës është një investim tërësisht privat, i kompanisë “Gener 2”, e cila pas 35 vitesh do i dorëzohet shtetit.  Me nga tre korsi për secilin kah lëvizje, njëra e dedikuar për emergjencat, 14 nënkalime e 12 ura, Thumanë-Kashar i shërben sa qytetarëve shqiptarë aq edhe turistëve të huaj.

Autostrada Thumanë-Kashar është segmenti i parë i ndërtuar nga pesë të tillë që përbëjnë “Korridorin Blu”, ndryshe Adriatiko Jonian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat