Metapneumovirusi njerëzor, është një virus respirator që shkakton simptoma të ngjashme me ftohjen dhe gripin. Mjeku Ilir Alimehmeti ishte i ftuar në emisionin “Review” këtë të diel në Euronews Albania për të folur lidhur me këtë çështje.
Ai thekson se ky virus ka qenë ekzistent dhe më përpara, por është identifikuar që në vitin 2001.
“Ky është një virus që e kemi identifikuar që në 2001 në Hollandë, ka qenë dhe më përpara. Virusi e bën këtë punë e bën në mënyrë sezonale, çdo dimër dhe pranverë. Si çdo virus, ka disa sezone pak më të larta dhe të ulëta. Mbas shqetësimeve, rastet janë raportuar në disa vende të botës, 10 deri në 12 % e rasteve të infeksioneve respiratore, janë nga HMPV-ja. Nga të cilat 5-16% mund të bëjnë infeksione të poshtme respiratore që kanë nevojë për një trajtim më të kujdesshëm.
Sipas Alimehmeti, ky lloj virusi nuk ka nevojë për një trajtim specifik apo vaksinë por duke mos lënë mënjanë kujdesin për të patur një sistem imunitar të shëndetshëm.
“S’kemi asnjë vend për panik dhe nuk flasim për diçka të re. Nuk ka hapësirë apo nevojë për vaksinë apo trajtim antiviral. Si çdo virus respirator, ka tendencën të prekë më shumë fëmijët e vegjël, moshat e mëdha apo personat me sëmundje. Nga ana tjetër nuk është e parandalueshme thjesht duhet mbajtur një sistem imunitar sa më i shëndetshëm”, tha mjeku Ilir Alimehmeti.