Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos, i cili u transportua me avion nga Shqipëria mesditën e së premtes, ndodhet i shtruar në spitalin “Evangelismos” të Athinës në gjendje kritike për jetën.
Analisti Mentor Nazarko ka thënë në “News Line” se kryepeshkopi Janullatos ka një kontribut të rëndësishëm në ringritjen e Kishës Autoqefale, pasi ka ndihmuar lidhur me infrastrukturën e saj.
“Unë mendoj që në mënyrë kritike, një nga elementët, ose elementi themelor i një kishe autoqefale ishte karakteri kombëtar i saj. Në gjykimin tim, ky karakter nën drejtimin e Kryepeshkopit Janullatos është dobësuar. Le të shpresojmë që në rastin e një trashëgimie të tij, të kemi ardhjen e një kleriku shqiptar në krye të kishës sonë. Pra, siç ju thash, duke bërë shikimin krahasues të rilindasve tanë, në një kuptim Noli, Konica ishin rilindas e kohës moderne, u angazhuan për ti dhënë karakter ndërkombëtar kishës, edhe e parë nga ky këndvështrim, kemi shikuar gjatë këtyre viteve rritjen e figurës së kishës greke në jetën tonë kombëtare, kështu që kjo është kritika kryesore.
Ai sot është në një ditë të vështirë shëndetësore, komuniteti ortodoks e ka pranuar, ka merita për pajisjen e kishës sonë me infrastrukturë dhe me votime. Për këtë kontribut në infrastrukturë mund të kenë ndikuar të ardhurat e bamirësve shqiptarë që jetonin në Greqi, të cilët i kanë lënë për të ndërtuar kishën shqiptare”, tha Nazarko.
Më tej, analisti u shpreh se kryepeshkopi Janullatos ka hyrë në polemika dhe me figura të shquara të jetës publike.
“Kryepeshkopi Janullatos nuk e ka kursyer veten dhe në shfaqje në krah të ministrave dhe secili prej zyrtarëve të lartë grekë që ka vizituar Shqipërinë është takuar me Janullatos. edhe ai madje ka udhëtuar dhe me makinë me ta. Së dyti, ai ka hyrë dhe në polemika me figura të shquara të jetës sonë publike. Është rasti i Kishës së Përmetit me historianin Kristo Frashëri në lidhje me origjinën. Pra, është një figurë me dritëhije. Ai ka dashur ta marrë shtetësinë, por presidentët e kohës kanë hezituar t’ia japin”, shtoi Nazarko.