Një pronë e cila është në proces gjyqësor prej kohësh mes dy familjeve Kapllani dhe Shaba në Romanat të Durrësit është bërë shkak që këto dy familje të konfliktohen verbalisht me njëra tjetrën. Secila palë ka pretendimet e veta, ku familja Kapllani tregon se është tokë që e kanë përfituar që në vitet 90’, ndërsa familja Shaba i ka bërë legalizimin në vitin 2013.
Por këtë të hënë, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në varësi të Bashkisë Durrës, i mbështetur nga forcat e policisë, ndërhyri për hapjen e një rruge në këtë pronë private. Sipas IMT-së familja Kapllani ka bllokuar rrugën që lidhen 13 familje me zonën.
Por të dy familjet shpjegojnë pretendimet për të vërtetën e kësaj prone.
“Dua me na marr token me zor dhe po e marrin, kanë sjelle faderomen, jam ne token time, e kam me letra e kam marr me komision. Toka është ne proces gjyqësor se ka bere mbivendosje këtu. Nuk kemi pas dijeni, djalin dhe burrin i moren qe te vazhdojnë punën rehat. I tërhoqën zvarre. Xheladin Shaba po ndërhyn , ka bere mbivendosje me Flamur Gjuzin dhe Ergys Cyrbjan. Po ndërhyn ne toke bujqesore private. Do ta zgjidhim me gjyq, i kemi çuar ne SPAK. Kemi punuar prej vitesh për këtë toke, e kemi qe ne 90, toka babës me kohe qe kur janë ndare tokat”,-tha Mirvete Kapllani.
Këtë hipotezë e kundërshton kreu i familjes Shaba, i cili tregon se posedon dokumentet për pronën.
“Shteti po zbaton ligjin. I kam me legalizim te gjitha, ato e kanë zaptuar token time, kam shkuar 200 here ne polici për këtë çështje, un disponoj letrat nuk me intereson. Kjo nuk ka asnjë lloj dokumenti, ne rast se ajo disponoj dokumente ta marri token qe nesër. Ne 2013 i kam bere letrat, kam 30 vite qe i kërkoj letrat e tokës”,-tha Xheladin Shaba, pretendues i pronës në Romanat.
Por situata nuk mbaron këtu. Përplasjet mes pronarëve të tokës dhe autoriteteve përfunduan me shoqërimin e çiftit të bashkëshortëve dhe të birit të familjes Kapllani në komisariatin e Durrësit.
Ajo që bie ndesh me pretendimet e palëve është ndërhyrja e IKMT-së për hapjen e rrugës, edhe pse kjo e fundit përmes një komunikimi theksoi se toka ku është bërë ndërhyrja është pronë shtetërore.
Ndërkohë, familja Kapllani kërkon që situata të zbardhet nga institucionet përgjegjëse dhe që të respektohet procesi gjyqësor mbi pronësinë e tokës.