Nisja e vitit të ri për fëmijët e fshatit Gështenjas në Pogradec duket më e vështirë se viti që lanë pas. Kjo pasi nga kjo javë e parë e janarit, të gjithë duhet të ecin në këmbë për gati 2 km çdo ditë që të ndjekin procesin mësimor.
Shkak është bërë rikonstruksioni i shkollës së fshatit, e për këtë arsye, mësimin duhet ta ndjekin në fshatin Rëmenj.
Prindërit theksojnë se nëse nuk vendoset transport nga zyra arsimore për fëmijët, ata janë të detyruar të mos i çojnë më në shkollë, pasi edhe mësimi përgjatë dimrit do të zhvillohet pasdite.
Prindërit thonë se deri më tani nuk u është dhënë asnjë zgjidhje nga autoritetet.
Janë rreth 100 nxënës të arsimit 9 vjeçar të cilët zhvendosen nga shkolla e Gështenjasit drejt Rremenjit, ku rrugën duhet ta përshkojnë në këmbë.
Të kontaktuar, drejtuesit e Zyrës Vendore Arsimore lidhur me këtë problematikë janë shprehur se ligji kërkon që se paku largësia të jetë 2 km për të vendosur në dispozicion mjet transporti për fëmijët, pavarësisht se kjo rrugë është e amortizuar me gropa dhe baltë.