31 mijë pasagjerë në një ditë, 2025 nis e vrullshme në Aeroportin “Nënë Tereza”

Shqipëria

31 mijë pasagjerë në një ditë, 2025 nis e vrullshme në Aeroportin “Nënë Tereza”

Më: 6 janar 2025 Në ora: 20:46
Aeroporti “Nënë Tereza”

Me mbarimin e festave nuk ka mbaruar fluksi i udhëtarëve në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës.  31 mijë pasagjerë vetëm në 3 janar.

Është ky rekordi i ri i arritur në Rinas në këto ditë të para të 2025 me gjithsej 780 fluturime, një tregues ky për një vit edhe më të suksesshëm.

“Udhëtoj në Bergamo. Erdhëm për festa, por kam 28 vite andej dhe shoh shumë ndryshime. Aeroporti është bërë perfekt”.

“E dua Shqipërinë. Dhe më pëlqen atmosfera në aeroportin tuaj. Ka hapësirë, plot drita, shërbimi i shpejtë dhe punonjësit shumë të sjellshëm”.

“Është një aeroport i mirë. Po ua thotë këtë një pariziene. Shumë bukur këtu”.

Vizioni i Kastrati Group premton zhvillim të mëtejshëm në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, ku do të vazhdojnë investimet për të tejkaluar arritjet e 2024; me shifrën e mbi 10 milionë pasagjerëve.

Kjo skuadër e madhe, e përkushtuar në sektorin ajror është e qartë mbi objektivat e reja.

“Po përgatitemi për një vit të ri të ngarkuar. Plani ynë për 2025 është të arrijmë 12 milionë pasagjerë, pra të vazhdojmë rritjen, por këtë vit pak më ngadalë, pasi duhet të përfundojmë të gjitha punimet që kemi nisur në 2024: zgjerimin e terminalit, zgjatjen e pistës, përgatitjen për fluturime edhe më të gjata, ndoshta drejt Amerikës së Veriut në kohë direkte. Dhe siç shohim e tani, mund të themi që aeroporti është gjithmonë plot, falë investimeve të grupit Kastrati. Më 3 janar kemi kaluar 30,000 pasagjerë, që në të kaluarën ishte kulmi gjatë verës. Më shumë se 300,000 persona udhëtuan gjatë festave, kështu që ne jemi shumë të zënë, dhe për këtë dua të falënderoj stafin, sepse po bëjnë një punë të shkëlqyer”, thotë Pier Vittorio.

TIA në suksesin e arritur deri më tani me mbi 135 mijë pasagjerë në këtë fillimvit, synon rritjen e vazhdueshme me më shumë destinacione të reja, shërbime më të avancuara teknologjike dhe projekte të reja infrastrukturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat