Ilir Meta lë sot qelinë për disa orë! Ish-Presidenti do të paraqitet në SPAK për t’u marrë në pyetje për dosjen “CEZ-DIA”

Shqipëria

Ilir Meta lë sot qelinë për disa orë! Ish-Presidenti do të paraqitet në SPAK për t’u marrë në pyetje për dosjen “CEZ-DIA”

Më: 7 janar 2025 Në ora: 07:54
Ish-Presidenti Ilir Meta

Ish-Presidenti Ilir Meta do të dalë sot për disa orë nga qelia ku po qëndron, për t’u dërguar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Mësohet se Meta do të paraqitet në SPAK në orën 10:00. Ilir Meta do të pyetet nga prokurorët e posaçëm në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”, për të cilën dhe akuzohet.

Ish-Presidenti u arrestua më 21 tetor 2024 në ish-sheshin “Shqiponja” dhe ndodhet në qeli në masën e sigurimit “Arrest në burg”.

SPAK e akuzon Ilir Metën se ka ndërmarrë veprime korruptive për kontratën CEZ-DIA në kohën kur ka qenë ministër i Energjetikës gjatë qeverisjes “Berisha 2”.

Ish-Presidenti reagoi në rrjetet sociale nga qelia për marrjen në pyetje ditën e martë, duke thënë se do të jetë ai që do t’i marrë në pyetje hetuesit.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Pa dyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruhet në Facebookun e Ilir Metës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat