Grabitën para e bizhuteri në një banesë, arrestohet 36-vjeçari! Sanitarja ua dha vëllezërve çelësin e shtëpisë për të kryer vjedhjen

Shqipëria

Grabitën para e bizhuteri në një banesë, arrestohet 36-vjeçari! Sanitarja ua dha vëllezërve çelësin e shtëpisë për të kryer vjedhjen

Më: 7 janar 2025 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Policia ka vendosur në pranga një 36-vjeçari, i cili akuzohet se në bashkëpunim me të motrën dhe vëllain grabitën në një banesë para e bizhuteri.

Në pranga ka rënë i riu me iniciale A. H., banues në Durrës, ndërsa në muajin shtator janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtorët, e motra 33-vjeçarja me iniciale E. K., e cila punonte si sanitare në banesën e gabitur, dhe i vëllai 42-vjeçari me iniciale F. H..

33-vjeçarja raportohet se ka qenë e punësuar sanitare në këtë banesë dhe dyshohet se ka siguruar kopje të çelësit të derës. Më pas, ua ka dhënë dy vëllezërve, të cilët dyshohet se më pas kanë kryer vjedhjen.

Në shtator, shërbimet e Policisë kanë gjetur në banesën e 42-vjeçarit dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një varëse dhe një unazë floriri, një shumë parash dhe një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “The key”, për kapjen e një 36-vjeçari të shpallur në kërkim si bashkëpunëtor për vjedhjen e një shumë parash dhe bizhuterish, në një banesë, duke përdorur kopje të çelësit të derës.

Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë kapur dhe ndaluar shtetasin A. H., 36 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim më datë 14.09.2024, në lidhje me vjedhjen e një shume parash dhe bizhuterish, në një banesë në lagjen nr.18, Durrës.

Për këtë rast, në shtator, janë arrestuar shtetasja E. K., 33 vjeçe dhe F. H., 42 vjeç, të dy banues në Durrës. 33-vjeçarja, e punësuar sanitare në këtë banesë, dyshohet se ka siguruar kopje të çelësit të derës dhe ua ka dhënë 42-vjeçarit dhe 36-vjeçarit (vëllezër), të cilët dyshohet se më pas kanë kryer vjedhjen.

Gjithashtu, në shtator, shërbimet e Policisë kanë gjetur në banesën e 42-vjeçarit dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një varëse dhe një unazë floriri, një shumë parash dhe një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit  të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat