Zbardhet krimi në Shkodër/ Eksperti: Punë efektive e Policisë, raste të tilla janë më të lehta se vrasjet mafioze

Shqipëria

Zbardhet krimi në Shkodër/ Eksperti: Punë efektive e Policisë, raste të tilla janë më të lehta se vrasjet mafioze

Më: 7 janar 2025 Në ora: 13:57
Eksperti i i sigurisë, Fatjon Softa

Policia e Shkodrës ka zbardhur në kohë rekord krimin në fshatin Dragoç në Postribë. Për vrasjen e të riut Ramazan Matajt janë arrestuar dy vëllezër Arjon dhe Klisman Hasaj, banues në të njëjtin fshat.

Sipas policisë, peroni kryesor, i cili dyshohet se ka shkrepur armën është Arjon Hasaj. Shkak për këtë ngjarje dyshohet të jenë bërë veprimet e Ramazan Mataj, i cili sipas Policisë kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit.

Eksperti i i sigurisë, Fatjon Softa i ftuar në emisionin “News Line” në ABC News e cilësoi si punë të mirë, zbardhjen në kohë të krimit në fjalë. Ai thekson se ngjarje të tilla janë më të lehta për tu zbardhur në krahasim me atentatet mafioze, pasi këto të fundit kryejnë veprime me metoda të sofistikuara.

“Në këtë atentat kanë qenë më shumë se dy persona, autori i dyshuar dhe vëllai i tij, por edhe dy persona të tjerë, që janë në kërkim dhe janë persona të identifikuar dhe që kanë qenë pjesë e realizimit të këtij atentatit. Në ngjarjet e grupeve kriminale kanë qenë më të kujdesshëm dhe më të sofistikuar, autorët kanë qenë të maskuar, kanë djegur armët dhe makinat”, tha ai.

Më tej, ai pohoi se arma e gjetur e groposur në oborrin e banesës së vëllezërve Hasaj, do t’i nënshtrohet ekspertizës për të vërtetuar nëse është përdorur në ngjarje të tjera kriminale ose jo.

“Arma e krimit dhe gëzhojat do të krahasohen nëse kjo armë është përdorur në ngjarje të tjera apo jo. Policia është një strukturë, në të cilën nuk ndryshon gjithçka, por dhe drejtuesit kanë aftësitë e tyre menaxhuese. E quaj një punë të mirë, sepse koincidon me momentin që kemi drejtues të rinj”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat