2025 nis me fluks të madh pasagjerësh për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës

Shqipëria

2025 nis me fluks të madh pasagjerësh për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës

Më: 7 janar 2025 Në ora: 15:22
Foto ilustrim

Viti 2025 ka vijuar të ketë fluks të lartë pasagjerësh në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës edhe pas festave të fundivitit.

Gjatë ditëve të para të janarit janë shënuar mbi 135,000 pasagjerë, ku vetëm më 3 janar kanë fluturuar mbi 31 000 pasagjerë, duke shënuar një rekord që në ditët e para të vitit.

Ndërsa për vitin 2024 janë numëruar mbi 10 milionë pasagjerë dhe mbi 780 mijë fluturime në total, ku vetëm në dhjetor janë procesuar 700 mijë pasagjerë dhe 4500 fluturime.

“Po përgatitemi për një vit të ri të ngarkuar. Plani ynë për 2025 është të arrijmë 12 milionë pasagjerë, pra të vazhdojmë rritjen, por këtë vit pak më ngadalë, pasi duhet të përfundojmë të gjitha punimet që kemi nisur në 2024: zgjerimin e terminalit, zgjatjen e pistës, përgatitjen për fluturime edhe më të gjata, drejt Amerikës së Veriut. Siç e shohim nga ditë e para të janarit, mund të themi që aeroporti është gjithmonë plot. Më shumë se 700,000 persona udhëtuan vetëm gjatë dhjetorit të vitit kaluar. Viti që lamë pas ishte një vit i suksesshëm për TIA, dhe për këtë dua të falenderoj stafin, sepse po bëjnë një punë të shkëlqyer” tha Pier Vittorio Farabbi, Drejtori Operacional i TIA-s.

Suksesi i operacioneve të TIA-s është rezultat i një planifikimi të kujdesshëm dhe një angazhimi për përmirësim të vazhdueshëm. Aeroporti punoi ngushtë me partnerët e linjave ajrore, shërbimet tokësore dhe palët e tjera për të siguruar që të gjitha aspektet e përvojës së udhëtimit.

Disa nga iniciativat e ndërmarra për përballimin e rritjes së numrit të pasagjerëve janë digjitalizimi i shërbimeve, pikat e vetëshërbimit ku pasagjerët mund të tërheqin në mënyrë të pavarur kartat e imbarkimit, eGates për leximin e pasaporave, të vlefshme per 17 shtete ne mbërritje dhe 12 shtete në nisje.

Ndërsa numri i pasagjerëve vazhdon të rritet, aeroporti mbetet i përkushtuar ndaj përmirësimit për të zgjeruar shërbimet dhe për të përqafuar teknologjitë e reja në mënyrë që çdo pasagjer të ketë një përvojë të shkëlqyer.

Kapaciteti i TIA-s për të ruajtur funksionimin normal edhe gjatë periudhave me trafik të lartë është rezultat i drejtpërdrejtë i investimeve të rëndësishme të Kastrati Group në infrastrukturë, teknologji, shtimin e stafit dhe trajnimit të tyre gjatë viteve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat