“SPAK po shkruan historinë”/ Zogaj: Struktura e Posaçme po punon çdo ditë. Meta sot u paraqit denjësisht para drejtësisë

Shqipëria

“SPAK po shkruan historinë”/ Zogaj: Struktura e Posaçme po punon çdo ditë. Meta sot u paraqit denjësisht para drejtësisë

Më: 7 janar 2025 Në ora: 18:02
Preç Zogaj, president i Institutit Pashko

Preç Zogaj, president i Institutit Pashko, në një intervistë në News 24 deklaroi se SPAK është një institucion që po shkruan historinë, pasi po prek njerëz, që deri dje ishin të paprekshëm.

Sipas tij, Struktura e Posaçme po punon përditë me dinamikë. Zogaj deklaroi se sot ish-presidenti Meta u paraqit denjësisht përpara drejtësisë, duke lënë pas sharjet ndaj institucionit të akuzës.

“Në mendimin tim, SPAK po bën punën me dosje të ndryshme. SPAK po punon, çdo ditë ka dinamika. Meta u paraqit sot, u paraqit ashtu siç i takon një shtetari, duke u përballur drejtpërdrejtë, duke lënë pas akuzat dhe sharjet. Ilir Meta e ka kuptuar dhe e di shumë mirë se kjo betejë bëhet vetëm kështu, duke u përballur.  Nga ana e tij, Sali Berisha iu përmbajt masës së SPAK, por vijon retorikën e ashpër ndaj institucionit të akuzës. SPAK nuk intimidohet e as provokohet. SPAK është institucion që sheh gjërat ftohtë, përfaqëson institucionin e akuzës, po bën punën që i takon në mënyrë racionale. Të sfidosh drejtësinë nuk është normale dhe as e zakonshme. Qëndrimi mund të jetë kritik, por duhet të respektohet institucioni. Duhet thënë se SPAK po shkruan histori për sundimin e ligjit, po normalizon hetimet në sfera të larta.

Pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, një fenomen tipik shqiptar, që është përmendur edhe në raporte ndërkombëtare. Askush nuk është i paprekshëm nga ligji. Ka hetime nga të gjitha krahët, ka hetime kudo që ka akuzë. Në këtë pikëpamje, nuk mund të them se SPAK po punon me dy standarde. Këtë e thonë ata që janë në konflikt interesi kryesisht. SPAK po i del përballë një gangrene, duke goditur politikanë, banda, që kanë nga pas edhe pasuri të madhe, nuk është e lehtë, ndaj puna e Strukturës së Posaçme duhet vlerësuar”, tha Zogaj.

Më tej, ai u shpreh se partitë që në zgjedhje do të mbështesin SPAK do të kenë favor elektoral. Kjo, pasi sipas tij, SPAK ka mbështetje të madhe në popull.

“Së shpejti, do të nisë beteja në gjykatë e politikanëve. Publiku do të shikojë gjyqet, do të shikojë qëndrimet e drejtësisë, por edhe të të akuzuarve. Unë mendoj se partitë që mbështesin SPAK kanë favor elektoral, pasi SPAK ka  mbështetje të madhe publike. Kush nuk e sheh këtë gjë, nuk është realist. Partitë e vogla që mbështesin SPAK do të kenë favor, por besoj se nëse do të bëheshin bashkë do të ishin më të fortë. Nëse konkurrojnë veçmas në zgjedhje, vota për ta mund të mos jetë aq me vlerë. Vota e diasporës është një e drejtë kushtetuese, që po gjen zbatim edhe ligjërisht”, u shpreh Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat