Elenita Roshi do të drejtojë Muzeun Historik Kombëtar, pas një përvoje prej 20 vitesh përvojë në menaxhimin e trashëgimisë kulturore.
Ishte ministri Blendi Gonxhe ai i cili ka bërë me dije se ekipi i MEKI-t po rritet.
“Prej sot, Elenita Roshi do të drejtojë Muzeun Historik Kombëtar. Ajo sjell mbi 20 vite përvojë në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, turizmit të trashëgimisë, dhe zhvillimit ekonomiko-shoqëror. Elenita ka punuar gjerësisht me organizata ndërkombëtare, në projekte që fokusohen në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, sidomos në Butrint dhe Gjirokastër. Bazat e saj akademike, përfshirë një doktoraturë në marketingun e trashëgimisë kulturore dhe një bursë
Humphrey/Fulbright në Universitetin Cornell të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, plotësojnë përvojën e saj praktike.
Si pedagoge e jashtme në Universitetin Politeknik të Tiranës, Elenita kontribuon gjithashtu në ndërtimin e ekspertizës së ardhshme në menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe historike. Pasioni i saj për ta bërë trashëgiminë tonë tërheqëse dhe edukative, si për shqiptarët dhe për ndërkombëtarët, do t’i shërbejë procesit të rëndësishëm të rindërtimit të Muzeut Historik Kombëtar, dhe të shndërrimit të tij në një hapësirë për edukim, frymëzim dhe dialog”, shprehet ai.