Zgjedhjet e 11 majit/ Ambasadori britanik mbikëqyr përgatitjet e KQZ për procesin, Celibashi: Diskutuam për parandalimin e shitblerjes së votës

Shqipëria

Zgjedhjet e 11 majit/ Ambasadori britanik mbikëqyr përgatitjet e KQZ për procesin, Celibashi: Diskutuam për parandalimin e shitblerjes së votës

Më: 8 janar 2025 Në ora: 17:55
Nicholas Abbott, Ilirjan Celibashi

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Abbott ka zhvilluar sot një vizitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku është prittur nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi. Abbott e ka zhvilluar vizitën për të parë nga afër përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ndërkohë permes një postimi në "X", Celibashi ka zbardhur detaje nga vizita dhe takimi me ambasadorin britanik. Kreu i KQZ-së shkruan se gjatë takimit pasi folën mbi zhvillimet dhe mjedisin politik në këtë periudhë parazgjedhore, diskutimet u thelluan mbi temën e votimit nga jashtë dhe sfidat e organizimit të këtij procesi.

Gjithashtu ai shprehet se mes tyre u diskutuan pikëpamjet dhe përpjekjet për masat kundër shitblerjes së votës, dhe shumë çështjeve të rëndësishme për procesin e zgjedhjeve.

“Mikpritëm sot në KQZ, Ambasadori Britanik në Shqipëri, z. Nicholas Abbott me të cilin zhvilluam një bisedë të hapur mbi përgatitjet e KQZ për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025. Pasi diskutuam mbi zhvillimet dhe mjedisin politik në këtë periudhë parazgjedhore, u thelluam mbi temën e votimit nga jashtë dhe sfidat e organizimit të këtij procesi.

Ndamë pikëpamjet dhe përpjekjet tona mbi çështje me rëndësi si masat e marra për parandalimin e shitblerjes së votës, shmangies së abuzimit të burimeve shtetërore në fushatë dhe rritjen e rolit të institucioneve të tjera në luftën kundër krimeve zgjedhore. Me Ambasadorin Abbott u ndalëm edhe tek plotësimi nga ana e KQZ të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe nevojës së implementimit të plotë të rekomandimeve që kërkojnë ndërhyrje legjislative nga Kuvendi.

Diskutuam në detaje për risitë e Platformës së Raportimit Financiar dhe promovimin e rolit mbikqyrës të shoqërisë civile mbi financimet zgjedhore. Me Ambasadorin Abbott dakordësuam rëndësinë unike të procesit të ardhshëm zgjedhor që lidhet me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. E falenderova Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e fortë ndaj KQZ dhe vijimin e nismave të përbashkëta për fuqizimin e institucionit”-shkruan Celibashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat