Profesori i Kriminalistikës, Ervin Karamuço ka shpjeguar se si u arrit të gjurmohej identiteti i personit që qëndronte pas profilit fake në Instagram në lidhje me zbardhjen e vrasjes në Shkodër.
Ai theksoi në Top Story se u deshën 24 orë që të identifikohej autori që i shkroi Ramazan Matajt dhe më pas përmes përgjimeve ambientale u siguruan provat e tjera.
“Ka qenë një takim informal i drejtorit të policisë me të dërguarin rajonal të Metës, ku përfshihet edhe Facebook dhe Instagram, se këto komunikimet dhe profili fake janë bërë në Instagram të gjitha. Aty është shprehur meraku i madh që për çështje të tilla, vrasje të ketë një komunikim dhe përgjigje të shpejtë të nevojave që kemi për identifikimin e personave sepse ka pasur raste që janë kthyer shumë vonë përgjigjet dhe çështjet janë lënë të ngrira.
Ky rast indicien e mori nga Meta, platformë e cila solli brenda 24 orëve përgjigje për IP e personit dhe lokalizimi ishte fitorja e parë shumë e fortë për të pasur një pistë solide të policisë, për të pasur më pas përgjimin ambiental, kryqëzimin e të dhënave, marrjen e gëzhojave dhe nga përgjimi ambiental doli ku ishte arma e vjetër, vijojnë akoma me armët e ‘97 i gjejmë kudo, para këtyre provave janë thyer e kanë pranuar.
Provat janë pothuajse të plota, por nga ana tjetër motivi, ecuria deri në vrasje ka ende të fshehta, ka ende enigma të mëdha, kjo vajzë shkonte për hir të familjes dhe fshatit, në një familje, martohej dhe thoshte unë e dua atë por ai nuk do të më marrë, jam e lidhur me të ndërkohë që jam e martuar, këto kanë sjellë një konflikt shumë të madh, të vazhdueshëm që i ka marrë fytyrën me shprehjen e tyre të zonës, gjatë gjithë kohës kësaj familje, edhe i ndjeri se duhet të jemi etikë në shpjegime, e ka kaluar vijën e kuqe edhe të familjes së vajzës dhe të familjes ku është martuar, ka arritur në pikën deri ku s’ka mbajtur më, mund të ketë shprehur shenja arrogance superioriteti që unë kam para, ju jeni të varfër, që e ndezin krimin”, tha Karamuço.