Rasti i një 20-vjeçareje e cila kërkoi ndihmën e policisë duke pretenduar se disa persona e kanë rrëmbyer, ka qenë temë diskutimi e kësaj të enjteje në “People” në Euronews Albania.
Gazetarja Sara Demushi dha më shumë detaje sa i përket kësaj ngjarje. Ajo tha se dyshohet se vajza është ftuar nga disa persona në një nga apartamentet e marra me qira. Megjithatë ende nuk dihet se sa persona kanë qenë të përfshirë.
“Ende nuk është bërë i ditur identiteti i personave të përfshirë në këtë ngjarje, ende nuk dihet as se sa persona janë. Ajo që dimë është se janë marr me qira të paktën dy apartamente AirBnb. Bëhet me dije se vajzën e kanë ftuar në këto apartamente. Në një nga këto apartamente, jo në atë në të cilin u gjet 20-vjeçarja, janë gjetur një jelek anti-plumb, janë gjetur dy armë pistoletë dhe po ashtu janë gjetur lëndë narkotike, për të cilat policia ka bërë kontrolle në të dyja apartamentet. Gjendja psikologjike e vajzës ka qenë e rënduar dhe deri ën këto momente ajo është në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës. Deri në këto momente ajo nuk ka arritur të flasë për të kuptuar më tej për motivet”,-tha Demushi.
Kujtojmë se pasi bëri denoncimin, vajza ka bërë rezistencë duke mos e hapur derën për efektivët e policisë dhe janë dashur rreth 3 orë që dera të hapej dhe forcat renea të futeshin në banesë.