Këshilli i Ministrave ka miratuar sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim muri rrethues për godinën e re të SPAK-ut”.
Shpronësimi do të kryhet në favor të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me një vlerë të përgjithshme prej 650,698.80 lekësh. Pronarët e pronave të prekura do të kompensohen në masë të plotë, bazuar në vlerësimet përkatëse.
Kompensimi do të bëhet pasi pronarët të dorëzojnë dokumentacionin justifikues pranë SPAK-ut, i cili është përgjegjës për procedurat e likuidimit.
Shpronësimi do të nisë menjëherë pas publikimit të vendimit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të përfundojë brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e tij.
Zbatimi i projektit dhe përfundimi i punimeve do të kryhet në përputhje me afatet e caktuara nga SPAK.
Për realizimin e këtij vendimi, janë ngarkuar disa institucione përkatëse, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorinë Vendore Tirana Veri dhe Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin.