Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj.
Dy të rinjtë akuzohen për vrasjen e Ramazan Mataj në fillim të muajit Janar në Dragoç të Shkodrës.
Arjon Hasaj e ka pranuar vrasjen para grupit hetimor, duke thënë se 33-vjeçarin Mataj e vrau për shkak se sipas tij, i kishte shkatërruar 2 martesa motrës së tij.
Asnjëri nga vëllezërit nuk ka folur në seancë. Asnjë familjar nuk kishte shkuar jashtë gjykatës pasi janë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes.
Pala mbrojtëse ka kërkuar për Klisman Hasaj që t’i jepet masa arrest shtëpie pasi nuk është përfshirë në atentat, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga gjyqtarja Irida Barkaj.
Ramazan Mataj u gjet i vrarë në automjetin e tij “Mercedes-Benz” mëngjesin e 5 Janarit. Në makinë, policia i gjeti viktimës dy celularë, njëri prej të cilëve pa kartë, ku hetuesit gjetën mesazhe që vëllezërit Hasaj i kishin dërguar atij për ta nxjerrë në pritë.