Banka e Shqipërisë firmos marrëveshjen për krijimin e një sistemi të pagesave të shpejta në vendet e Ballkanit Perëndimor

Shqipëria

Banka e Shqipërisë firmos marrëveshjen për krijimin e një sistemi të pagesave të shpejta në vendet e Ballkanit Perëndimor

Më: 10 janar 2025 Në ora: 15:58
Guvernatori i Bankes se Shqiperise, Gent Sejko

Banka e Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Bankën e Italisë dhe 3 banka qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e një sistemi pagesash të shpejta.

Në Bankën e Italisë u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mbi nisjen e projektit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në vendet e Ballkanit Perëndimor.  Në këtë ceremoni morën pjesë Guvernatori i Bankës së Italisë,  Fabio Panetta,  dhe Zëvendësguvernatorja, Chiara Scotti, së bashku me Guvernatorët dhe Zëvendësguvernatorët e bankave qendrore të: Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Marrëveshja e bashkëpunimit parashikon që Banka e Italisë të ofrojë një sistem pagesash të shpejta të bazuar në një kopje të shërbimit TIPS, e cila është platforma evropiane për shlyerjen e pagesave në kohë reale, e projektuar, krijuar dhe administruar nga Banka e Italisë në emër të Eurosistemit. Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, i janë bashkuar kësaj iniciative, e cila është miratuar nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane (BQE). (Maqedonia e Veriut ruan të drejtën për t’ju bashkuar kësaj iniciative në një datë të mëvonshme).

Platforma e re, e cila do të jetë funksionale brenda 18 muajve nga nisja e punës – e planifikuar për javët e ardhshme – do të mundësojë kryerjen e pagesave në të gjitha monedhat e vendeve pjesëmarrëse. Menjëherë pas nisjes së fazës së zbatimit, do të zhvillohen dhe funksione të tjera. Gjithashtu, platforma do të krijojë një lidhje dypalëshe për shlyerjen e pagesave midis zonës gjeografike ku TIPS operon dhe zonës së Ballkanit Perëndimor, duke përdorur një zgjidhje teknologjikisht të përparuar dhe me kosto të ulëta.

Nënshkrimi i marrëveshjes është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me sistemin financiar të Bashkimit Evropian. 

Banka e Shqipërisë, pjesë e projektit rajonal për pagesat e shpejta

Çfarë janë pagesat e shpejta?

Pagesat e shpejta kryhen nëpërmjet një sistemi pagesash që ofron shërbim të vazhdueshëm 24 orë në ditë/365 ditë në vit dhe mundëson realizimin e tyre në pak sekonda. Me transfertat e rregullta bankare zakonisht duhet të paktën një ditë pune që paratë të arrijnë në llogarinë bankare të marrësit; ndërsa me pagesat e shpejta, transferimi i parave është pothuajse i menjëhershëm midis llogarive bankare.

Kur do të realizohet ky projekt?

Platforma e re e pagesave do të jetë funksionale brenda 18 muajve nga nisja e punës konkrete, në javët e ardhshme.

Çfarë përfitimesh sjell për qytetarët?

Pagesat e menjëhershme iu lejojnë qytetarëve dhe bizneseve të paguajnë dhe të marrin pagesa në mënyrë të menjëhershme dhe efikase. Përdorimi i pagesave të shpejta mund t’i kursejë qytetarëve, bizneseve, aktorëve të tregut dhe ekonomisë shqiptare, rreth 35 – 40 miliardë lekë.

Çfarë përfitimesh sjell për ekonominë?

Adoptimi i një sistemi pagesash të shpejta sjell një sërë përfitimesh në nivel kombëtar, duke filluar me nxitjen e efikasitetit të ekonomisë, rritjen e përfshirjes financiare dhe reduktimin e ekonomisë informale. Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, sistemi i pagesave të shpejta do të sjellë një rritje drastike të pagesave elektronike në tregun shqiptar.

Sipas Bankës Ndërkombëtare të Rregullimeve, ekonomitë që adoptojnë sisteme pagesash të shpejta, përjetojnë një rritje të PBB-së prej 0.5-1%, për shkak të cikleve më të shpejta të transaksioneve dhe përfshirjes së zgjeruar financiare.

Përfitime të tjera

Ky projekt përbën një hap të suksesshëm në përmbushjen e angazhimeve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe shtron rrugën për hapat e radhës të konvergjencës ekonomike, si dhe ndihmon në digjitalizimin e mëtejshëm të pagesave në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat