Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga, vizitoi sot për herë të tretë, Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili është i shtruar prej një jave në spitalin "Ungjillëzimi" në Athinë. Kreypeshkopi iu nënshtrua një operacioni delikat ditën e sotme për gjakderdhje gastrike dhe tashmë është i intubuar në reanimacion. Spitali është shprehur se 48 orët e ardhshme konsiderohen kritike për kryepeshkopin pas operacionit.
Kryepeshkopi ndodhet në spitalin grek që prej të premtes së kaluar, kur u transferua në Athinë nga Tirana me një avion të Forcave Ajrore. Prej datës 30 dhjetor ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë, ndërsa diagnoza fillestare ishte një virus sezonal.
Megjithatë, duke pasur parasysh shëndetin dhe moshën e tij, virusi u shndërrua në një infeksion dhe ai gjithashtu pati hemorragji. Më pas, u pa e nevojshme transferimi i tij në Athinë, ku ka qenë i shtruar gjatë periudhës së Covid-it dhe mjekët e Evangjelismos, të drejtuar nga profesoresha Anastasia Kotanidou, e dinë shumë mirë historinë e tij mjekësore.
Gjendja e tij shëndetësore u stabilizua pas transferimit në Athinë ditët e para, por më pas u përkeqësua. Orët e fundit, gjendja e Janullatos konsiderohet kritike.