Kevin Hajrulla, i mbijetuari i një atentati të mirëorganizuar në Vlorë, është përmirësuar dhe ka dhënë dëshmi për hetuesit.
Ai ka mohuar të ketë njohur ekzekutorët, duke treguar se ka ndjerë erën e barutit në momentin kur u qëllua, para se të humbiste ndjenjat. Hajrulla pretendon se nuk ka konflikte personale dhe se për një periudhë të gjatë ka punuar në një call center.
Në lidhje me kushëririn e tij, Inez Hajrulla, i cili është në përplasje me grupin e Bernard Sinomatit, Kevin Hajrulla ka deklaruar se takimet mes tyre janë shumë të rralla dhe ndodhin vetëm në raste familjare. Policia dyshon se atentati ndaj Kevin Hajrullës lidhet me konfliktet e kushëririt të tij me grupe kriminale, megjithëse ai vetë nuk ka rekorde kriminale.
Aktualisht, Hajrulla është në gjendje të stabilizuar pas tri ndërhyrjeve kirurgjikale. Ndërkohë, Inez Hajrulla nuk është pyetur nga grupi hetimor pasi sipas sistemit TIMS, ai ndodhet jashtë vendit.
Përplasjet mes grupit të Inez Hajrullës dhe disa grupeve të tjera kriminale, përfshirë atë të Bernard Sinomatit, kanë qenë të ashpra. Konflikti është intensifikuar që pas vrasjes së Gëzim Sinomatit, nipit të Bernard Sinomatit, i cili u ekzekutua me snajper në dhjetor të 2023. Vrasja e Gëzim Sinomatit, djali i Sokol Sinomatit, ende mbetet e pazbardhur.
Pas atentatit në Vlorë ku u plagos Kevin Hajrulla dhe një person tjetër, në Tiranë ka pasur një tentativë për të ekzekutuar Bernard Sinomatin, duke e përshkallëzuar më tej këtë seri konfliktesh mes grupeve kriminale.