Policia: Drejtuesit e automjeteve të tregojnë vigjilencë. Ja situata në akset rrugore

Shqipëria

Policia: Drejtuesit e automjeteve të tregojnë vigjilencë. Ja situata në akset rrugore

Më: 12 janar 2025 Në ora: 10:39
Foto ilustrim

Policia e Shtetit apelon drejtuesit e automjeteve që të tregojnë vigjilencë, teksa vendi është përfshirë nga moti i keq.

Përmes një njoftimi, policia ka dhënë një përditësim të situatës në disa prej akseve rrugore.

Njoftimi i policisë

Për shkak të motit të keq me reshje dëbore në disa qarqe të vendit dhe reshje shiu, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e punonjësve të Policisë Rrugore në terren dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën për përdoruesit e rrugës në nevojë.

Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të tregojnë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

Situata aktuale në akset rrugore:

• Aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër është bllokuar nga Policia Rrugore e Dibrës dhe Tiranës për të shmangur pengesat dhe bllokimin e rrugës si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të dëborës. Firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës nga dëbora.

• Aksi rrugor Fushë Arrëz – Iballë, në segmentin Qafë Shari – Laku i Ballçit, aktualisht është i pakalueshëm për shkak të reshjeve të dëborës dhe erës së fortë. Nga ana e Bashkisë Fushë Arrëz po merren masa për të dërguar mjete (Fadroma) për hapjen e rrugës.

• Aksi rrugor Qafë Thanë – Librazhd ka vështirësi në qarkullim për kamionët, për shkak të reshjeve të pandërprera të dëborës.

• Në të gjithë vendin, akset e tjera rrugore janë të hapura. Borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.

Njëkohësisht, masa janë marrë edhe në akset rrugore nacionale dhe urbane për shkak të reshjeve të shiut, duke shtuar patrullat e policisë rrugore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat