Kryeministri Edi Rama zgjodhi këtë të diel për të folur në lidhje me vëllain e tij, Olsi Rama për të cilin SPAK tha se nuk ka asnjë provë që e implikon atë në aktivitetin kriminal, ashtu siç e denoncoi kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, si i përfshirjë në dosjen ‘Xibraka’.
Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, Rama u shpreh se “vëllai i tij, Olsi Rama u përdor si mish për top për ta goditur dhe rrëzuar atë”.
SPAK foli- tha Rama- duke thënë se vëllai i tij nuk është i përfshirë në atë që njihet si dosja “Xibraka”.
“Vitin e shkuar, deputeti Gazmend Bardhi, jashtënxori në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait tim, Olsi Rama.
E denoncoi, gjykoi dhe dënoi në publik si trafikant droge, duke krijuar rrethanat tipike të një kallëzimi të rremë, përmes një sajese kriminale, mbi bazën e një dosjeje të vjetër të prokurorisë për një grup trafikantësh.
Në atë dosje u fliste për një person i cili nuk është gjetur nga prokuroria. Sipas atij zotërisë, ky person ishte im vëlla. Nuk jam shpjeguar deri më sot, kam bërë shumë durim. Nuk kam dashur të flas unë me bindjet e mia pa folur drejtësia me provat e veta. SPAK deklaroi se Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin në fjalë dhe nuk ka asnjë prove që ta lidhe atë me aktivitetin kriminal. Im vëlla u përdor si mish për top për të më goditur mua dhe rrëzuar në sytë e opinionit publik”, tha Rama.