Moti i keq dhe dëbora “pushtojnë” Librazhdin, Prrenjasin, Gramshin dhe një pjesë të Elbasanit

Shqipëria

Moti i keq dhe dëbora “pushtojnë” Librazhdin, Prrenjasin, Gramshin dhe një pjesë të Elbasanit

Më: 12 janar 2025 Në ora: 12:15
Foto nga vendi i ngjarjes

Paraditen e kësaj të Diele moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura dëbore ka ” pushtuar” pjesën më të madhe të shtatë bashkive të Qarkut të Elbasanit. Në bashkitë Librazhd, Prrenjas e Gramsh dëbora pas orës 10.00 të kësaj fundjave ka zbardhur jo vetëm zonat rurale por edhe ato urbane.

Në qytetet e Librazhdit, Prrenjasit e Gramshit dëbora ka filluar të krijojë  shtresën e parë dhe rënia e dendur e saj paralajmëron se trashësia e saj do shkojë disa centimentra rreth mesditës.

Ndërkohë në të gjitha zonat malore përfshi edhe ato të Elbasanit në disa fshatra malorë trashësia e dëborës gjatë mëngjesit të sotëm ka arritur 20-35 cm.

Ndërkohë rënia e reshjeve po shoqërohet edhe me erëra mjaft të forta të cilat kanë dëmtuar një pjesë të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike dhe shtylla elektrike në fshatrat e NJA Steblevë të bashkisë Librazhd, në NJA Rrajcë në bashkinë Prrenjas ku po punohet që nga orët e para të ditës së sotme për riparimin e linjave ekektrike të dëmtuara.

Edhe Dogana e Qafë Thanës ka patur mungesë të furnizimit me energji për shkak të dëmtimit të linjës elektrike nga moti i keq.Aktualisht në të gjithë hapësirën ku shtrihen shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vazhdon të jetë normal.

Policia ka paralajmëruar drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë nga Elbasani drejt Librazhdit, Prrenjasit, Pogradecit e Korçës që të marrin masat për të patur një udhëtim sa më të sigurtë sepse në rrugë në këtë aks të rrugës kombëtare bie parreshtur dëborë.

Janë marrë të gjitha masat që rruga të jetë e monitoruar dhe mjetet borë pastruese janë në terren dhe në gatishmëri së bashku me punonjësit për të përballuar me sukses çdo lloj situata që mund të krijohet nga moti i keq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat