Numër rekord, regjistrohen për herë të parë në Shqipëri rreth 100 mijë automjete! Si ndikoi “zbulimi” i Koresë së Jugut

Shqipëria

Numër rekord, regjistrohen për herë të parë në Shqipëri rreth 100 mijë automjete! Si ndikoi “zbulimi” i Koresë së Jugut

Më: 13 janar 2025 Në ora: 08:55
Foto ilustrim

Viti 2024 ka shënuar numrin më të lartë të automjeteve që janë regjistruar ndonjëherë në vend, pjesa më e madhe e të cilave ishin autovetura.

Sipas statistikave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, për periudhën janar-dhjetor janë regjistruar për herë të parë gjithsej 99.4 mijë automjete, nga të cilat 83.2 mijë, ose 84% ishin autovetura.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, regjistrimet e reja në total janë rritur me 27%, ndërsa ato të autoveturave me 26%.

Në total, në vend, deri në fund të 6 mujorit të parë të vitit 2024 kishte në qarkullim gjithsej 915 mijë mjete, nga të cilat 738 mijë janë autovetura.

Teksa përdorimi i mjeteve po rritet me shpejtësi, sërish po importohen makina të vjetra dhe me naftë, që janë një shkaktar i ndotjes së ambientit.

Sipas të dhënave të DPSHTRR-së, në 2024-n, rreth 53% e automjeteve të regjistruara ishin 9-15 vjet të vjetra dhe 26% ishin mbi 15 vjet të vjetra. Vetëm 12% ishin deri në 4 vjet të vjetra.

63% e mjeteve të reja ishin me naftë dhe 23% me benzinë. Automjetet elektrike zinin vetëm 3.1% të totalit të mjeteve të importuara.

Flota e autoveturave vijon të jetë e vjetër. Nga 738 mijë vetura që kishte gjithsej në qarkullim deri në qershor 2024, rreth 73% e tyre janë më të vjetra se 15 vite dhe 20% kanë një vit prodhimi nga 9-15 vjet.

Vetëm 3% e stokut të veturave në vend janë më të reja sesa katër vjet.

“Zbulimi” i Koresë së Jugut nxiti rritjen rekord

Të dhënat e detajuara nga DPSHTRR tregojnë se prej dy vitesh ka një rritje të ndjeshme të importeve të mjeteve nga Koreja e Jugut. Në dy vjet (2023-2024) nga ky shtet janë importuar dhe dalë në qarkullim të paktën rreth 27 mjete.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në 2024-n u regjistruan për herë të parë 18.8 mijë automjete që kishin origjinën nga Koreja e Jugut, duke kaluar në shtetin më të madh importues, me 19% të totalit.

Në krahasim me vitin 2024, mjetet nga Koreja e Jugut, mëse u dyfishuan, me një rritje prej 124%. Dy vjet më parë nga ky shtet blerjet ishin minimale me rreth 1.2-1.5 mijë mjete në vit.

Më parë, dy shtetet nga importoheshin më shumë mjete ishin Italia dhe Gjermania. Por, nga 2023-shi, shqiptarët kanë zbuluar një destinacion të ri, që ofronte makina më ekonomike, pavarësisht kostove më të larta të transportit./Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat