Akuzohet se mori 25 mijë euro për të ndikuar tek gjyqtarët, GJKKO pranon kërkesën e SPAK për gjykim çështjes së avokatit Petraq Semani

Shqipëria

Akuzohet se mori 25 mijë euro për të ndikuar tek gjyqtarët, GJKKO pranon kërkesën e SPAK për gjykim çështjes së avokatit Petraq Semani

Më: 13 janar 2025 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për dërgimin në gjyq të çështjes së avokatit Petraq Semani, i cili akuzohet se ka marrë 25 mijë euro për të ndikuar tek gjyqtarët për të ulur dënimin për një person të dënuar për vrasje.

Sipas SPAK, nga hetimet është provuar se Petraq Semani, si mbrojtës ligjor i shtetasit Llazar Dine i ka kërkuar shtetasve Llazar Dine dhe Sidorela Dine shumën monetare prej 25.000 Euro, pasi i ka premtuar se do të ushtronte ndikim tek gjyqtarët që po shqyrtonin çështjen në ngarkim të shtetasit Llazar Dine, për favorizimin e të dënuarit Llazar Dine në masën e dënimit gjatë rigjykimit të çështjes.

NJOFTIM PËR MEDIAT

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 23.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 257, viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Petraq Semani”.

Në seancën e datës 13.01.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Irena Gjoka, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 20/101, datë 13.01.2025, vendosi:

Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 257, viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Petraq Semani, i biri i S. dhe i E., dtl. 03.07.1954, lindur në Berat dhe banues në adresën: ****, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal, para ndryshimeve me Ligjin nr. 43/2021.

Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me tjetër trup gjykues.

Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 8 volume hetimore, provat materiale bashkëlidhur fashikullit, si dhe provat e depozituara gjatë gjykimit.

Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Tiranë, më datë 13.01.2025 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat