Dinamika/ Hakmarrja brutale mes dy fiseve, ekzekutohet në pritë nipi i Martin Bardhit!

Shqipëria

Dinamika/ Hakmarrja brutale mes dy fiseve, ekzekutohet në pritë nipi i Martin Bardhit!

Më: 14 janar 2025 Në ora: 08:42
Foto nga vendi i ngjarjes

Mbrëmë (13 janar) në autostradën që lidh Fierin me Vlorën, në afërsi të Novoselës, brenda një mjeti u gjend i vrarë me armë zjarri një i ri.

Policia që shkoi në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të kalimtarëve të rastit bëri me dije se viktimë e një sulmi me armë ishte 30- vjeçari Kristian Marku. Në fakt, ai njihej me emrin Kristi Bardhi dhe emri i tij ishte bërë i njohur në dy raste viteve të fundit. Në të parin u tha se u përfshi në një sherr me një pjesëtar të familjes Reçi në Rrëshen dhe në rastin tjetër, duke i ikur policisë, hodhi armën që mbante me vete në makinë.

Viktima e djeshme e asaj prite fatale është pikërisht nipi i Martin Bardhit, të ekzekutuar rreth 2 vjet më parë, një ekzekutim për të cilin policia dhe asnjë prokurori nuk ka asnjë emër të dyshuari, ndonëse përplasjet mes dy fiseve janë të njohura tashmë brenda dhe jashtë vendit, ku kanë sjellë një numër të madh viktimash.

Ngjarja

Referuar të dhënave të policisë së Vlorës, bëhet me dije se në autostradën Fier-Vlorë, një 30-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në afërsi të fshatit Novoselë. Viktima i identifikuar si Kristian Marku (Bardhi) mësohet se po lëvizte me makinë tip “Volkswagen”.

Drejt 30- vjeçarit fillimisht rezulton të jetë qëlluar pranë një vendndalimi të autostradës, ku dhe janë gjetur 9 gëzhoja, ndërsa një gëzhojë tjetër është gjetur në makinën e viktimës, e cila ishte e ndaluar rreth 1 kilometër poshtë vendpushimit. Këto rrethana kanë ngritur dyshimet se 30-vjeçari nga Mirdita është qëlluar teksa ka qenë i ndaluar në vendndalimin e autostradës dhe ka tentuar të largohet, apo se është qëlluar edhe në ecje e sipër.

Gjurmët e lëna tregojnë se ai është ndjekur për rreth 1 kilometër nga atentatorët, që më pas kanë marrë rrugën në drejtim të Fierit, ku edhe kanë djegur makinën, që dyshohet se ishte e vjedhur.

Atentatorët dyshohet se kanë qenë të paktën 3 persona, por policia nuk bëri me dije të kishte gjetur armë në mjet, çka përjashton edhe mundësinë e hamendësimit në lidhje me numrin e personave që kanë marrë pjesë në vrasje. Policia ka nisur krehjen e zonës, ka kryer shoqërimet e para, ndërkohë që janë marrë edhe disa pamje nga kamerat e bizneseve me qëllim se mos mundësohet ndonjë pamje nga atentatorët. Dyshohet se është qëlluar pa zbritur nga makina, e për pasojë policia do ta ketë të vështirë gjetjen e ndonjë pamjeje edhe nëse autorët kanë qenë të pamaskuar.

Hakmarrja, pista kryesore

Më 27 shtator të 2023-it në qytetin e Rrëshenit ndodh një masakër. Nga një mjet fuoristradë hapet zjarr jashtë një lokali, ku në një tavolinë do të gjendej xhaxhai i Kristit, viktimës së djeshme, Martin Bardhi. Në tavolinë me Bardhin ishin edhe tre persona të tjerë, të cilët u plagosën, dy prej të cilëve rëndë, por arritën të mbijetonin, ndërsa Martini ndërroi jetë në tavolinën e lokalit të tij ku kishte dalë të pinte kafenë e mëngjesit.

Mjeti i vrasësve kaloi para godinës së policisë, si thuajse në të gjitha rastet e përplasjeve gjoksore mes dy fiseve Reçi e Bardhi që iu kanë marrë jetën shumë djemve e burrave, i radhës mbrëmë, vetëm 30 vjeç. Policia gjeti makinën duke u djegur, mblodhi disa gëzhoja në vendin e ngjarjes dhe disa të tjera që u gjenden në mjetin e vrasësve, mori në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe nipin e Reçëve, Saimirin, i cili ishte konfliktuar, sipas tij rreth 6 muaj më parë me Martin Bardhin, Kristianin dhe djalin e Martinit.

Në fakt, për ngjarjen që denoncoi Reçi aso kohe, Martin Bardhi u arrestua, ndërsa Kristiani u shpall në kërkim. Kristiani mundi t’i shmangej arrestimit, ndërsa Bardhi u ndalua dhe pas hetimeve ai u lirua nga burgu, për tu ekzekutuar mëngjesin e 27 shtatorit. Grupi hetimor nga policia dhe Prokuroria e Vlorës që kanë marrë në duar hetimet e atentatit të një ditë më parë janë kthyer pikërisht në hakmarrjen disa vjeçare mes familjeve Reçi e Bardhi për të kërkuar motivin dhe edhe autorët e pritës fatale që i mori jetën Kristianit!/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat