Bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, deklaroi gjatë dëshmisë së tij në GJKKO këtë të hënë, se ka paguar 40 mijë euro për t’u liruar nga burgu pasi ishte arrestuar nga policia.
Dumani ka konfirmuar se shumën e konsiderueshme të parave ia ka dorëzuar dhëndrit të vëllait të Nasip Naços, i cili në atë kohë mbante pozicionin e shefit të spitalit. Sipas Dumanit, dhëndri i Naços i ka siguruar një raport mjekësor, duke pretenduar se ai ishte i sëmurë dhe se gjendja e tij shëndetësore nuk mund të lejonte qëndrimin në paraburgim.
Euronews Albania ka siguruar raportin e lëshuar nga mjeku që ka ekzaminuar Dumanin gjatë kohës që ai ndodhej në burg. Sipas këtij raporti, Dumani vuante nga një sëmundje e zemrës e cila e bëntë të pamundur qëndrimin në kushte paraburgimi.
Në materialin që ndodhet në dosjen e SPAK për operacionin “Plumbi i Artë”, mjeku ka theksuar se Dumani kishte zmadhim të aortës dhe disa probleme të tjera kardiake, përfshirë regurgitacion aortal, insuficencë kardiake, dhe aritmi ventrikulare. Kjo gjendje shëndetësore, sipas ekspertizës, e bëri Dumanin të paaftë për të qëndruar në kushte të paraburgimit, dhe për këtë arsye ai u lirua.
“Nga ana e organit të prokurorisë është kërkuar të verifikohet edhe gjendja shëndetësore e të pandehurit Nuredin Dumani dhe për këtë qëllim është kryer akti i ekspertimit mjekoligjor nr…, datë 07.05.2014, pasi është shtruar në QTUS, në sallën e reanimacionit, për shkak të sëmundjes së zemrës. Në konkluzionet e aktit të ekspertimit rezulton se: “1.- Referuar të dhënave të kartelës klinike dhe dokumenteve të çështjes si dhe historikut të sëmundjes, shtetasi Nuredin Dumani vuan nga regurgitim aortal i moderuar, insuficiencë kardiake NYHA II, dilatacion i ventrikulit të majtë, aritmi ventrikulare, kardiomiopatia hipertensive, sëmundje të cilat kanë ardhur si pasojë e një defekti të lindur të aortës. 2.- Në stadin aktual, gjendja shëndetësore e këtij shtetasi është e pastabilizuar, gjendje e cila nuk e lejon qëndrimin e tij në kushtet e paraburgimit”, thuhet në raport.