U mbajt procesi gjyqësor në themel për ish-deputetin e PS, Alqi Bllako, për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se Bllako akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste. Bllako ka kërkuar që të gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar, çka do të thotë se, nëse shpallet fajtor, do t’i ulet 1/3 e dënimit.
SPAK relaton në mënyrë të përmbledhur provat dhe faktet që disponon në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke dhënë edhe argumentet se përse kërkon dënimin e Alqi Bllakos.
Gjatë hetimeve janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera nga i pandehuri, në kohën kur ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
Dyshohet se ka përfituar para në vlerën e rreth 120 mijë euro dhe 7 milion e 520 mijë lekë nga Vladimir Bezhanin, nga shoqëria koncesionare për ndërtimin e inceneratorit.
Bllako i ka propozuar Bezhanit që të ofronte konsulencë juridike për çështjen e inceneratorit të Tiranës, para se të bëhej propozimi i pakërkuar në lidhje me këtë çështje. Bllako i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësojë, në atë kohë Bezhan ishte këshilltar i jashtëm i ministrit Koka, edhe pse paguhej nga shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.
37 fashikuj janë paraqitur nga SPAK për çështjen e Alqi Bllakos. Ndërkohë Gjykata e Posaçme vendos që të pranojë kërkesën e Alqi Bllakos për gjykim të shkurtuar. Kërkesa është paraqitur në seancën paraprake dhe po e njëjta kërkesë u bë nga Bllako edhe ditën e sotme në sallën e gjyqit.
Gjykata fton palët për konkluzionet përfundimtare. SPAK kërkon kohë për të përgatitur pretencën për Alqi Bllakon dhe seanca do të shtyhet për në një datë tjetër.
Siç raporton Anila Hoxha, seanca e radhës do të mbahet më 29 janar, në orën 10:00, ku do të jepet pretenca për Alqi Bllakon. Në të njëjtën seancë do të jepen edhe argumentet e mbrojtjes, duke qenë se janë në gjykim të shkurtuar dhe provat u janë vënë në dispozicion palëve.