“Ndërtojnë rrugë me 10-fishin e çmimeve, Lubia nuk flet”, Berisha: Trafiku te unaza e madhe përfundon në grykë të shishes prej pallatit të ministrit

Shqipëria

“Ndërtojnë rrugë me 10-fishin e çmimeve, Lubia nuk flet”, Berisha: Trafiku te unaza e madhe përfundon në grykë të shishes prej pallatit të ministrit

Më: 14 janar 2025 Në ora: 19:00
Kreu i PD, Sali Berisha

Kreu i PD, Sali Berisha, kritikoi ashpër qeverinë aktuale për shpërdorimin e 65 miliardë eurove gjatë këtyre viteve. Ai theksoi se ndonëse këto fonde janë përdorur për rroga dhe pensione, efektet pozitive nuk janë ndjerë nga qytetarët, të cilët përballen me rritje drastike çmimesh dhe varfëri në rritje.

Një nga premtimet më të forta të Berishës ishte rritja e standardeve të jetesës dhe përmirësimi i kushteve për qytetarët. Ai kritikoi gjithashtu ndërtimin e projekteve infrastrukturore, si Unaza e Madhe, e cila, sipas tij, ka përkeqësuar trafikun në Tiranë.

Berisha fajësoi ndërtimin e një pallati nga një ministër te “Shqiponja” si shkakun kryesor të bllokimit të trafikut në këtë zonë.

Më tej Berisha i referohet Belinda Ballukut, ministres së Infrastrukturës, duke e quajtur atë “Lubi” për menaxhimin e dobët të projekteve dhe keqadministrimin e fondeve. Ai theksoi se qeveria ka ndërtuar infrastrukturë me çmime shumë të larta dhe ka dështuar të ofrojë shërbime të duhura për qytetarët, duke përmendur si shembull energjinë, naftën dhe shëndetësinë.

“Por ne, ecim të sigurt drejt fitores. Ecim të sigurt drejt fitores sepse ne faktuam që jemi njerëzit që bëjmë të pamundshmen të mundshme. Po!

Së dyti, ne kemi studiuar me shumë përgjegjësi të gjithë problemet e mëdha me të cilat përballet qytetari shqiptar në këtë qeverisje.
Ju jeni anëtarë të parlamenteve vendore, ju duhet ta dini se narkoqeveria e Edi Ramës ka disponuar 65 miliardë euro.

A mund të imagjinoni ju se ç’do të thotë 65 miliardë euro për Shqipërinë?
Me 65 miliardë euro, nga 2013-a gjer sot, janë shpenzuar për rrogat gjithsej 200 milionë euro. Janë shpenzuar për pensionet gjithsej 220 milionë euro.

Por, në qoftë se marrim rritjen e çmimeve, pra në qoftë se marrim rritjen e çmimeve, çmimet janë rritur nga 10 gjer në 250 përqind të mesatares së BE.

Çka ka bërë që sirenat e varfërisë dhe mjerimit të ulërijnë në mbarë vendin.

Gjë që ka bërë që të zbresin nga njerëzit më të paguar në vitin 2013 në rajon, në njerëzit më të keqpaguar në rajon. Në njerëzit realisht, një pjesë, është tragjike studimi i UNICEF që thotë se 45 përqind e shqiptarëve nuk ushqejnë dot fëmijët me tre vakte.

Ju i keni ndjekur se cila është situata katastrofale në spitalet tona.

Unë ua them ju se qëndrimet e kësaj qeverie ndaj të sëmurëve në spitalin onkologjik janë absolutisht krime kundër njerëzimit.

Në qoftë se ti i lë aparaturat kryesore të mjekimit të këtyre të sëmurëve, ata nuk i merr sëmundja, i merr ti që nuk i mjekon ata. Që i privon nga ilaçet. Po u them ju, me keqardhjen më të madhe, kjo u zbulua nga një gazetar guximtar që ka meritë të jashtëzakonshme për atë që ka bërë. Por absolutisht nuk është vetëm në atë spital ajo situatë. Ajo situatë është e përhapur në shëndetësinë tonë.

Në akt të parë, në vitin 2013, ndryshuan ligjin. Ne nuk lejonim shitjen e ilaçeve që nuk shiten në dy vende të BE. Sa erdhi, për kushërirën e burrit që ndan paratë me të, e anulon ligjin dhe tregu është i mbushur me ilaçe absolutisht shumë të pasigurta. Natyrisht Vilma çdo ditë fiton miliona. Vendosi check-upin, i përjashtoi pensionistët nga check-upi me ligj dhe u jep pensionistëve një pension 170 euro pensioni mesatar në Shqipëri, 450 euro në Mal të Zi.

Le të thotë Edi Rama, si ka mundësi që pensionisti në Shqipëri, një vend me shumëfishin e pasurive të Malit të Zi, merr një pension të paktën tre herë më të vogël se ai. Si ka mundësi që pensioni në Kosovë, një vend sapo ka shpallur pavarësinë, është 30-40 përqind më i lartë se në Shqipëri?

Ju garantoj unë ju, se në qoftë se Shqipëria administroi gjatë këtyre viteve 65 miliardë euro, Kosova nuk ka administruar 30 miliardë euro. Por ka një gjë, çdo qeveri e zgjedhur nga qytetarët, ato të ardhura të mbledhura, ua kthen qytetarëve në radhë të parë. Ua kthen në pensione, në rroga, në shërbime.

Kurse këta i vjedhin, i vjedhin, i vjedhin.

Ndërtojnë rrugë me 10-fishin e çmimeve. Ndërtojnë shkolla me 10-fishin e çmimeve. Djegësi i Tiranës nuk ekziston, dy të tjerët nuk janë në funksion.

Nuk flasin për këto, po t’i dëgjosh, njëherë citon Rama, Lubinë, pastaj citon Lubia Ramën dhe besojnë se ua mbushin mendjen shqiptarëve.

Po nafta? Nafta më e shtrenjtë në Shqipëri se në Singapor. Nuk di një vend të dytë në botë që qeveria të tatojë 1.1 euro për një litër naftë. Ky atë bën!

Plus, një kontrabandë të papërmbajtur. Kosova me 440 mijë automjete, zhdoganon në vit 630 mijë ton naftë, Shqipëria me 870 mijë automjete, zhdoganon 560 mijë ton naftë. Pra, të paktën minimumi 300 mijë kontrandë.

Kjo është situata. Prandaj ikin shqiptarët. Ikin nga varfëria. Prindërit nuk kanë mundësi të mbajnë fëmijët e tyre.

Ky pakësim i tmerrshëm kombëtar ka në bazë vjedhjen e paimagjinueshme të tyre.

Mos harroni, Enver Hoxha, pjesën dërrmuese të buxhetit e fuste në tunele dhe bunkere, ishte paranojak. Kurse këta e vjedhin.

Se të administrosh 65 miliardë dhe të shohësh rrasa guri në disa sheshe të qyteteve të vendit dhe asgjë tjetër, tuneli i Llogarasë 20 km rrugë që i vuri edhe traun, unaza e madhe, e cila në vend që të çlironte trafikun, ka krijuar probleme të mëdha të trafikut sepse përfundon gjithë trafiku në grykë të shishes për shkak të pallatit të ministrit. Sepse aty te ‘Shqiponja’ është pallati i ministrit”, u shpreh Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat