Në Shqipëri, ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, do të ketë një gjykim të shkurtuar në procesin që do të zhvillohet ndaj tij nën dyshimet për përfshirjen në rastin e inceneratorit të Tiranës. Kishte qenë vetë zoti Bllako që kishte paraqitur një kërkesë të tillë e cila u pranua të martën në seancën paraprake, ku u vendos dhe kalimi i çështjes për gjykim. Më 29 Janar, pritet që si Prokuroria e Posaçme, ashtu dhe mbrojtja e zotit Bllako të paraqesë argumentat e saj. Përmes gjykimit të shkurtuar, zoti Bllako do të përfitojë një ulje me një të tretën, në rast të dënimit.
Zoti Bllako akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në dy raste. Kodi penal parashikon për këtë vepër, një dënim që shkon nga 4 deri në 12 vite burgim. Ai vetë i ka hedhur poshtë akuzat.
Sipas Prokurorisë, për ish Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit, gjatë hetimeve janë konstatuar akte korruptive në dy raste, kur ai “ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt 119.751 euro dhe 7,5 milionë lekë”.
Në rastin e shumës në euro, ajo rezulton se është përfituar nga pronarët de facto të shoqërisë që kishte marrë me koncension ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, sipërmarrësit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, “si pagesë për blerjen e pajisjeve për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako në Ersekë”.
Ndërsa shuma prej 7,5 milionë lekësh, sipas hetimeve, i është kërkuar Zotos, si pagesë për Vladimir Bezhanin, i propozuar nga zoti Blako, si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit të kohës, Lefter Koka.
Në dhjetor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme lëshoi 15 urdhërat e parë të arrestit për inceneratorin e Tiranës, përfshirë dhe zotin Bllako, ish ministrin e Koka si dhe dy sipërmarrësit Mërtiri dhe Zoto. Të katër ishin mes të akuzuarve dhe në rastin e dy inceneratorëve të tjerë, në Elbasan dhe Fier.
Në gusht të vitit 2024, ndërsa mbylli hetimet për pjesën dërrmuese të të arrestuarve, Prokuroria veçoi prej tyre, çështjen e zoti Bllako.
Ai u arrestua në mars të vitit 2022, fillimisht për përfshirjen në rastin e inceneratorit të Fierit, ku u akuzua për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion” në dy raste, dhe u dënua në vitin 2023 me 4 vjet burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim u konvertua në 2 vjet e 8 muaj. Por në dhjetor të vitit të shkuar Gjykata e Posaçme e Apelit e riktheu çështjen për rigjykim, me një tjetër trupë gjyqtarësh.
Akuza për “shpërdorim detyre” ishte ngritur më pas ndaj tij dhe për rastin e Elbasanit, por Gjykata e Posaçme e kishte shpallur atë të pafajshëm. Por nën nëntor të vitit 2024, Apeli i Posaçëm, e shpalli sërish atë fajtor, duke e dënuar po me 4 vjet burgim, të konvertuara në 2 vjet e 8 muaj./Voa