Në kuadër të Javës së Qëndrueshmërisë në Abu Dhabi, kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje strategjike për ndërlidhjen energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë.
Marrëveshja, e cila përfshin edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, synon krijimin e një infrastrukture që do të mundësojë transportimin e energjisë së rinovueshme nga Shqipëria drejt Italisë përmes një kablli nënujor në detin Adriatik.
“Jam shumë krenare për këtë projekt, i cili është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes tre vendeve tona,” u shpreh Meloni gjatë fjalës së saj.
“Ky është një hap i madh për përmirësimin e qëndrueshmërisë energjetike dhe për forcimin e lidhjeve mes rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës,” shtoi kryeministrja italiane.
Meloni vlerësoi lidhjet historike mes Italisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përmendur projekte të mëparshme si linja elektrike prej 420 km që lidh Italinë me Malin e Zi dhe rajonin ballkanik. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtyre bashkëpunimeve për përfitime të ndërsjella.
“Falë kësaj marrëveshjeje, energjia e rinovueshme e prodhuar në Shqipëri do të luajë një rol të rëndësishëm në përmbushjen e objektivave tona për tranzicionin energjetik,” theksoi ajo, duke shtuar se ky projekt do të përfshijë jo vetëm qeveritë, por edhe sektorin privat dhe operatorët e rrjetit.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe Kryeministrja Meloni.
Projekti synon jo vetëm përmirësimin e ndërlidhjes energjetike mes dy brigjeve të Adriatikut, por gjithashtu hap rrugën për një bashkëpunim të thelluar mes Italisë, Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në sektorin e energjisë së gjelbër.