Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë Qarkun e Elbasanit po punohet për hapjen e të gjitha rrugëve të bllokuara nga dëbora si edhe për eliminimin e dëmeve dhe defekteve të shkaktuara nga mbizotërimi i motit të keq.
Sipas Emergjencave Civile bëhet me dije se këtë mesjavë akset rrugore nacionale dhe segmentet kryesore të rrugëve rurale janë të hapura dhe nuk ka më probleme për qarkullimin e automjeteve. Në akset ku ka pasur borë apo ngrica nga firmat kontraktuese është bërë pastrimi i dëborës si edhe është kryer kriposja në të gjitha segmentet problematike.
Në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Qafë Thanë në “Kthesat e Qafë Thanës ” ku temperaturat zbritën deri -6 gradë C, prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure është punuar nga borëpastrueset dhe është hedhur kripë në rrugë për të evituar ngricat.
Në aksin rrugor Librazhd-Steblëve -Bulqizë qarkullimi edhe këtë mesjavë është i mundur vetëm me zinxhirë e goma dimërore në segmentin nga Borova në Steblevë , ndërsa në pjesën tjetër nga sot qarkullimi kryhet normalisht.
Edhe akset e tjera të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit janë te hapura dhe në zonat problematike është hedhur kripë.
Në disa bashki si në atë të Elbasanit, Librazhdit , Prrenjasit e Gramshit vijon puna për hapjen e rrugëve rurale që lidhin fshatrat malorë me Njesitë Administrative. Në bashkinë e Elbasanit po punohet në aksin Elbasan-Labinot Mal, Elbasan-Funarë.
Në këtë bashki nuk ka dalje nga shtrati dhe probleme me prurjet e lumenjve e përrenjve malorë pasi prurjet e tyre janë në kuotat normale.
Edhe situata e furnizimit me energji elektrike paraqitet mjaft e përmirësuar në krahasim me ditët e para të kësaj jave.
Pa energji janë edhe disa fshatra në Nj.A Polis e bashkisë Librazhd dhe Nj.A Bishqem bashkia Peqin,Nj.A Funar bashkia Elbasan, si dhe kanë defekte të rënda kabinat elektrike në qytetin e Prrenjasit dhe një në bashkinë Gramsh dhe në terren po punohet nga dhjetëra punonjës të OSHE për riparimin e të gjitha dëmeve e defekteve të shkaktuara nga moti i keq.