Zgjedhjet e 11 Majit/ PD prezanton programin e 100 ditëve të para! Garo: Rroga minimale do të jetë 500 euro

Shqipëria

Zgjedhjet e 11 Majit/ PD prezanton programin e 100 ditëve të para! Garo: Rroga minimale do të jetë 500 euro

Më: 15 janar 2025 Në ora: 16:59
Floriana Garo

Partia Demokratike prezanton disa nga pikat e programit që do të aplikojë në 100 ditët e para të qeverisjes nëse fiton zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në një video të postuar në rrjetin social Facebook të kreut të PD-së Sali Berisha, zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo rendit disa nga pikat e programit të 100 ditëve të para.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike nis fjalimin duke thënë se në vendin tonë çmimet e ushqimeve dhe veshjeve janë më të larta se në Europë, kurse rrogat e pensionet janë disa herë më të ulëta.

Sipas Garos “ky është shkaku i varfërimit në rritje të shqiptarëve!”.

Në programin prej 15 pikash, Garo njofton se PD do të vendosë minimumin jetik 200 euro për këdo, pensionistë, të papunë, në ndihmë ekonomike, madje edhe studentët, ndërsa njofton se rroga minimale do të jetë 500 euro dhe se rroga mesatare do të jetë 1,200 euro.

Gjithashtu  zëdhënësja e Partisë Demokratike, tha se do të falen gjobat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm për pensionistët, të papunët, familjet në nevojë me rroga nën mesatare dhe nënat kryefamiljare.

Floriana Garo: Të dashur miq, tek ne çmimet e ushqimeve dhe veshjeve janë më të larta se në Europë, kurse rrogat e pensionet janë disa herë më të ulëta.

Ky është shkaku i varfërimit në rritje të shqiptarëve! Doni të dini se çfarë do të bëjë Partia Demokratike për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje brenda 100 ditëve të para kur të kthehet në pushtet?

Ja disa pika të programit tonë:

1. Do të vendosim minimumin jetik 200 euro për këdo, pensionistë, të papunë, në ndihmë ekonomike, madje edhe studentët.

2. Rroga minimale do të jetë 500 euro.

3. Rroga mesatare do të jetë 1,200 euro.

4. Minimumi jetik do të indeksohet me ligj.

5. Pensionistët dhe familjet me rroga të ulëta do të kenë çmim më të ulët të dritave dhe ujit.

6. Do të falen gjobat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm për pensionistët, të papunët, familjet në nevojë me rroga nën mesatare dhe nënat kryefamiljare.

7. Pensionistët dhe të gjithë qytetarët me minimum jetik do të pajisen me kartë konsumatori, me të cilën do të rimbursohen 100% të TVSH-së për produktet e shportës.

8. Shteti do të marrë përsipër shpenzimet për fëmijën e tretë deri në moshën 23 vjeç, duke përfshirë shkollimin shtetëror. Duke vënë familjen në plan të parë, do të ndihmojmë në shërimin e plagëve të shpopullimit në vendin tonë.

9. Përmes ndërtesave sociale, do të mundësojmë çmime të përballueshme të banesave dhe kredi për çiftet e reja dhe të pamundurit.

10. Fermerët do të përfitojnë subvencionim nga shteti për çdo kokë bagëti dhe çdo njësi prodhimi.

11. Do të vëmë në dispozicion burime financiare dhe tokë shtetërore për të kompensuar pronarët.

12. Emigrantët, kur vendosin të kthehen në atdhe, do të kenë 0 taksa për 5 vjet dhe do të përfitojnë kredi të butë kur të blejnë një banesë.

13. Në universitet, do të hiqet mesatarja e pranimit.

14. Çmimi i naftës do të jetë gjithnjë në minimumin e mesatares së rajonit; çmimet ekstremisht të larta marrin fund.

15. Do të hiqen të gjitha taksat dhe tarifat e rrugëve.

Si do t’i bëjmë të mundura këto?

Paratë janë aty. Rrugët dhe punët publike nuk do të bëhen më me çmime stratosferike, 10 herë më të larta se në Europë, por do të ndërtohen sipas standardeve të drejta. Ne do të përmbysim shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive kombëtare; fokusi dhe investimi ynë do të jetë te qytetarët shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat