Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço foli për ngjarjet kriminale që vend. Në një intervistë në “Real Story” në ABC News ai theksoi se krimi tashmë është më i sofistikuar.
Ndërsa foli për atentatin ndaj 30-vjeçarit në Vlorë, eksperti i Kriminalistikës, tha se dyshohet të jetë vrasje e porositur.
“Ne kemi dy cikle kriminologjike që na ndodhin disa vite rresht. Një cikël që fillon me kurbën e vrasjeve para festave të nëntorit dhe kemi një cikël tjetër që vijon gjatë verës. Në rastin e Vlorës është ndjekur nga një tjetër grup dhe u ekzekutua nga një tjetër grup. Kishte një grup që informonte dhe një grup që ekzekutonte. Kjo vrasje ka një indicie që na çon në Vlorë dhe është me porosi.
Kemi grupe të vrasësve me pagesë që janë nga zona e Vlorës. Targa e makinës së djegur të autorëve është vjedhur në Vlorë. Këto ose janë me një ndihmë, dikush edhe si guidë, por kryesisht ka pistë solide se këta janë një grup vrasësish me pagesë nga Vlora. Krimi gjithmonë është më përpara, njohim shumë mirë zonat, lënë shumë pak gjurmë. Tani edhe për këto ngjarje po hyjnë edhe në vendndodhjen e celularëve kush ka funksionuar, nga ana tjetër gëzhojat mund të kenë lënë gjurmë gishtash, por nëse këta janë me dorashka është e pamundur”, tha më tej ai.