Shpërndahen 75 apartamente në Kombinat/ Ministri Gonxhja: Do ndërtojmë banesa sociale për familjet në nevojë

Shqipëria

Shpërndahen 75 apartamente në Kombinat/ Ministri Gonxhja: Do ndërtojmë banesa sociale për familjet në nevojë

Më: 16 janar 2025 Në ora: 11:49
Foto ilustrim

Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, mori pjesë në ceremoninë e dhënies së 75 apartamenteve për 75 familje në lagjen e re në Kombinat.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës janë duke hartuar paketa të reja që kanë në fokus familjen.

Ministri Gonxhja tha se nga kreditë e buta përfitojnë 1200 familje, ndërkohë që ka pasur mbi 3 mije aplikime.

“Vetëm një muaj më parë financuam për bashkinë Tiranë një paketë me interesa për 1200 kuota për kredi për familje dhe të rinjtë. Janë familje në nevojë, që mund të jenë në një situatë me të ardhura të ulëta, kemi nëna kryefamiljare, kemi gra të divorcuara që kanë nevojë për këto kredi. Janë 1200 kuota dhe sot nga aplikimet shohim rëndësinë sepse janë mbi 3 mijë aplikime. Ne do adresojmë edhe një pjesë të dytë për këtë nevojë”, u shpreh ministri.

Ai deklaroi se prej mbi 3 vite mbështesim bonusin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti, por që një pjesë e tyre do të ndërpresin sot qiranë për shkak se do të marrin banesat e reja.

Ministri tha se në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës do të ndërtojnë banesa për t’ia shitur ato familjeve në nevojë me çmim më të ulët dhe me këste.

“Me entin e banesave, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë kemi marrë troje që i ofron bashkia Tiranë që me entin e banesave ti investojmë për ndërtesa, me banesa sociale që do të shiten me çmim të ulët, me këste dhe me një skemë të leverdishme për familjet që janë në nevojë.

E mbyll me një paketë tjetër që bëhemi gati për ta lancuar këtë vit që do të jetë paketa që do të lidhë familjen, fëmijën, të punësuarin me strehimin. Çatia si një mundësi për të na bashkuar me këto tre elemente.

Që të kemi edhe një incentive dhe të nisim  lindjet duke bërë që ne të propozojmë shumë shpejt që për çdo fëmije që lind të kemi një zbritje të menjëhershme  kjo ose përmes buxhetit ose përmes donatorëve, direkt nga çmimi i kontraktuar nga kjo familje për këtë banesë”, theksoi ministri Gonxhja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat