Policia e Bulqizës raporton se mesditën e sotme është marrë njoftim se në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël në Bulqizë, është plagosur me armë gjahu (çifte), shtetasi Vasil Kamberi, 36 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën gjatë transportimit me helikopter për në spital.
“Nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi Flamur Kamberi 34 vjeç, i afërm me viktimën, i cili është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”, njofton policia e Bulqizës.
Sipas burimeve ngjarja dyshohet se ka ndodhur aksidentalisht pasi ka qenë vetë personi i arrestuar që ka lajmëruar policinë.