Fatmir Mediu në Bruksel: Nevojitet qeveri teknike për të ndaluar blerjen e votave

Shqipëria

Fatmir Mediu në Bruksel: Nevojitet qeveri teknike për të ndaluar blerjen e votave

Më: 16 janar 2025 Në ora: 16:19
Fatmir Mediu

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkoi në Bruksel mbështetjen grupit konservator dhe reformist (ECR) në Parlamentin Europian për të çuar përpara kërkesën e opozitës shqiptarë për krijimin e një qeverie teknike.

 “Si rregull, ne duhet t’i bindemi ligjit dhe Kushtetutës. Por nga një republikë parlamentare, Shqipëria është kthyer në një republikë kryeministrore dhe Edi Rama bën çfarë dëshiron. Nuk respekton Kushtetutën, nuk respekton ligjin, vepron sipas qejfit duke e konsideruar Shqipërinë si pronë private.”- tha Mediu në një takim të posaçëm me eurodeputetët e ECR, grupim politik, në të cilin Partia Reoublikane është anëtare.

Mediu solli në vëmendjen e eurodeputetëve raportet e OSBE/ODIHR për Shqipërinë ku përmendet se zgjedhjet nuk janë të lira e të ndershme, edhe pse Shqipëria është një anëtare e NATO-s.

“Në Shqipëri, krimi i organizuar, ata që pastrojnë paratë, intimidojnë votuesit, blejnë vota dhe adninistrata publike përdoret nga partia në pushtet. Gjyqësori po përdoret si armë politike. Udhëheqësit e opozitës janë vendosur në arrest shtëpie, në burg ose janë në gjyq. Dhe jemi vetëm 4 muaj para zgjedhjeve.”- u shpreh Kryetari i Partisë Republikane.

Mediu tregoi zgjidhjen për këtë situatë të rënduar politike, të krijuar nga ndërhyrja e qeverisë së Edi Ramës në zgjedhje përmes parave të pista,  krimit të organizua të organizuar dhe përdorimit të administratës publike, duke kërkuar edhe mbështetjen e Grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve në Parlamentin Europian. Zgjidhja është krijimi pa vonesa të tjera i një qeverie teknike.

“Modeli i Maqedonisë së Veriut është një histori suksesi. Ne mund të krijojmë një qeveri kujdestare dhe, kështu, duart e pista të qeverisë nuk prishin balancën në zgjedhje”, tha Mediu në takimin me anëtarët grupit konservator ECR në Parlamentin Europian, ku pati propozime nga disa eurodeputetë për të organizuar një mision faktmbledhës në Shqipëri, ku siç u shpreh njëri prej tyre “është krijuar një fasadë e madhe nga qeveria e Edi Ramës.”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat