Komisioneri Dervishi takon Ambasadorin e BE, Gonzato: Ligji për mbrojtjen e të dhënave përparim i rëndësishëm drejt BE-së

Shqipëria

Komisioneri Dervishi takon Ambasadorin e BE, Gonzato: Ligji për mbrojtjen e të dhënave përparim i rëndësishëm drejt BE-së

Më: 16 janar 2025 Në ora: 19:01
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato.

Në takim u diskutua mbi progresin e bërë nga Shqipëria në fushat e veprimtarisë që mbulon Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si e drejta e informimit, mbrojtja e të dhënave personale dhe të dhënat e hapura.

Dervishi e falenderoi Ambasadorin Gonzato për mbështetjen e pakursyer që Bashkimi Evropian ka dhënë ndër vite dhe në veçanti për ekspertizën përgjatë procesit të harmonizimit të plotë të ligjit të ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale” me Rregulloren e Përgjithshme Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR).

Ai theksoi se sfidë për zyrën e Komisionerit mbetet zbatimi i plotë i ligjit, nevoja për mbështetje me kapacitete profesionale, dhe veçanërisht ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe kontrolluesve publikë e privatë me risitë e legjislacionit, si dhe rritja e kulturës së mbrojtjes së të dhënave personale.

Nga ana e tij Ambasadori Gonzato vlerësoi punën e deritanishme të Zyrës së Komisionerit, duke shprehur angazhimin e tij të plotë për mbështetjen e këtij institucioni në përmbushjen dhe realizimin e objektivave në të ardhmen.

Në takim morën pjesë edhe znj. Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit të Komisionerit, znj. Blerta Xhako, Drejtore e Drejtorisë Juridike dhe Integrimit, z. Aleksandar Romanovic, Oficer Politik pranë Delegacionit të BE-së si dhe Peter Danis, Oficer për Mirëqeverisjen dhe Sundimin e Ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat