Avokati tregon si funksionon ligji për faljen e gjobave: Kategoritë që përfitojnë

Shqipëria

Avokati tregon si funksionon ligji për faljen e gjobave: Kategoritë që përfitojnë

Më: 16 janar 2025 Në ora: 19:15
Foto ilustrim

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në dhjetor të vitit 2024 ligjin për faljen e gjobave të papaguara në zonat rurale dhe urbane, lidhur me ndërtimet pa leje të realizuara gjatë periudhës 1 janar 2015 – 30 nëntor 2024.

Po ashtu, përfshihen edhe gjobat për shkeljet e rregullave gjatë pandemisë, si dhe për shkeljet e rregulloreve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për subjektet bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale ndërsa ligji hyn në fuqi më 16 janar 2025.

Në një intervistë për Euronews Albania, avokati Gylsen Zhllima dha detaje të rëndësishme në lidhje me këtë ligj.

Ai shpjegoi se, sipas Ligjit 127 të vitit 2024, nga viti 2015 deri në 30 nëntor 2024, personat të cilët janë gjobitur nga inspektoriate të ndryshme si Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Inspektoriati Kombëtar i Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, institucione shëndetësore, Policia e Shtetit apo autoritete lokale, kanë të drejtë të përfitojnë falje të gjobave të papaguara.

Avokati Zhllima theksoi se përfituesit realë të këtij ligji janë individë, persona fizikë dhe juridikë që kanë kryer ndërtime pa leje ose pa njoftim paraprak në fushën e ndërtimit, veprimtarive bujqësore dhe blegtorale, si dhe ata që mbajnë mjete pune të bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe magazina të këtij lloji.

Ai shtoi se ky ligj mund të ketë disa interpretime, sidomos për zonat rurale dhe urbane, dhe se autoritetet përkatëse duhet të nxjerrin udhëzime të qarta për zbatimin e tij.

“Për mua, ky ligj mund të jetë pak abuziv pasi nuk përcakton në mënyrë të qartë të gjithë subjektet përfituese, por vetëm disa. Megjithatë, besoj se autoritetet përkatëse mund të bëjnë lehtësime për ata që janë gjobitur, përmes udhëzimeve të reja që do të nxirren”, theksoi avokati Zhllima.

“Ligji 127 i vitit 2024 parashikon që, nga viti 2015 deri më 30 nëntor 2024, personat që janë gjobitur nga inspektoriati vendor i mbrojtjes së territorit, inspektoriati kombëtar i territorit, autoriteti kombëtar i ushqimit, institucionet shëndetësore, Policia e Shtetit, ose institucione të tjera bashkiake, kanë të drejtë të përfitojnë. Përfituesit e mundshëm janë individë, persona fizikë ose juridikë, të cilët kanë kryer ndërtim pa leje apo pa njoftim paraprak, në ndërtesa që shërbejnë për qëllime banimi, si dhe në objekte që kryejnë veprimtari prodhimi, magazinimi, përpunimi, ruajtje dhe tregtim të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe mbajtje të mjeteve pune për bujqësinë dhe blegtorinë, si dhe për magazina të tjera. Në zbatim të këtij ligji, brenda dhjetë ditëve, autoritetet përkatëse duhet të nxjerrin udhëzime. Megjithatë, kjo mund të ketë një interpretim që mund të jetë abuziv, pasi nuk përcakton qartë disa subjekte, por vetëm disa të tjera, duke përfshirë fshatin dhe qytetin. Kjo mund të krijojë konfuzion dhe mund të ketë ndikim në mënyrën se si do të zbatohet ligji në praktike. Sidoqoftë, mund të ketë mundësi që, me anë të udhëzimeve, të bëhet një lehtësim për ata persona që janë gjobitur”, tha avokati Zhllima.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat