Tabaku: Përjashtimi nga taksat për fshatrat turistikë, “dhuratë” për oligarkët

Shqipëria

Tabaku: Përjashtimi nga taksat për fshatrat turistikë, “dhuratë” për oligarkët

Më: 16 janar 2025 Në ora: 19:20
Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ngriti sot shqetësimin për ndryshimet e propozuara nga qeveria në ligjin “Për të ardhurat”, duke i cilësuar ato “dhuratë“ për oligarkët.

Sipas saj, propozimet për ligje speciale shkatërrojnë themelet e një shteti të ndershëm dhe ndërtojnë një qeveri të pakicës, në kurriz të shumicës.

“Socialistët nuk ndalen me propozimet e tyre të ligjeve speciale, që shkatërrojnë themelet e një shteti të ndershëm dhe ndërtojnë një qeveri të pakicës, në kurriz të shumicës”, u shpreh Tabaku.

Sipas Tabakut, një propozim i ri për të përjashtuar nga taksat korporatat e mëdha që ndërtojnë fshatra turistikë për 10 vjet, vjen vetëm pak ditë pasi një deputete socialiste propozoi shtyrjen për herë të tetë të ligjit “Për investimet strategjike”.

“Një përkim perfekt kohor që nuk është aspak rastësi, por pjesë e një plani që favorizon pakicën dhe lë shumicën në varfëri”, tha ajo. Deputetja demokrate tha se ky nuk është shtet i ndershëm dhe as i drejtë.

“Ligjet speciale që qepen me porosi për interesat e një pakice të privilegjuar, nuk ndërtojnë një ekonomi për shqiptarët. Përkundrazi, ato thellojnë pabarazinë dhe korrupsionin”, vlerëson Tabaku.

Tabaku vuri në dukje se Shqipërisë i duhet një ekonomi për të gjithë, jo për disa të privilegjuar.

“Për të qenë atraktivë për investimet dhe për të ndërtuar një sistem të ndershëm taksimi, ne duhet të bëjmë politika serioze investimesh që krijojnë vende pune dhe zhvillim të qëndrueshëm. Një kuadër investimesh që përmirëson klimën e biznesit dhe tërheq investime cilësore, jo favore për klientët e qeverisë. Screening për investimet e huaja, për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të siguruar transparencë. Një ekonomi të shekullit të 21-të, që përfshin teknologjinë, inteligjencën artificiale dhe sektorët strategjikë”, deklaroi Tabaku.

Shqipërisë, nënvizoi ajo, i duhet një ligj gjithëpërfshirës për investimet, jo arnime të përvitshme të ligjit “Për investimet strategjike”, që mbulojnë vetëm orekset për resorte dhe beton.

“Ndërkohë që bota garon për burime minerale, inteligjencë artificiale dhe zhvillim ekonomik kombëtar, socialistët synojnë të ruajnë një sistem të pandershëm dhe të prapambetur. Koha për ndryshim është tani! Ne duhet të ndërtojmë një Shqipëri ku ligjet i shërbejnë popullit, jo interesave të ngushta të pakicës”, deklaroi deputetja Tabaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat