Depistimi tregon shifrat alarmante: Tirana rekord të nxënësve me probleme shikimi

Shqipëria

Depistimi tregon shifrat alarmante: Tirana rekord të nxënësve me probleme shikimi

Më: 16 janar 2025 Në ora: 19:44
Marsida Velo

Në një lidhje live për emisionin “People” në Euronews Albania, Marsida Velo, shefe e Shërbimit Parësor pranë Drejtorisë Rajonale të Tiranës, foli për programin e depistimit të shikimit të nxënësve të shkollave 9-vjeçare, duke theksuar shqetësimin për numrin e lartë të fëmijëve me probleme shikimi, veçanërisht në Tiranë.

“Ky depistim nisi në prill të vitit 2022 dhe është shtrirë në të gjitha shkollat 9-vjeçare për fëmijët nga mosha 6 deri në 14 vjeç. Çdo vit shkollor, depistohen nxënësit e klasave të 3-ta, 5-ta, 7-ta dhe 9-ta,” tha Velo.

Sipas saj, ky program është një traditë e hershme në Tiranë dhe më pas u mendua që të shtrihej në të gjithë Shqipërinë.

Sipas Velos gjatë këtij procesi, janë depistuar 87 mijë nxënës në 818 institucione arsimore në të gjithë vendin, ku shqetësuese është se janë identifikuar 9,711 nxënës me probleme shikimi, të cilët janë referuar te mjekët specialistë.

“Në rajonin e Tiranës, janë regjistruar 4,800 fëmijë me probleme të shikimit, duke përbërë gati 50% të të gjithë të depistuarve në vend, për shkak të densitetit të popullsisë në kryeqytet. Nuk ka ndarje të dukshme mes vajzave dhe djemve, është pothuajse e barabartë, por më shumë probleme shikimi janë evidentuar tek fëmijët e klasave të 3-ta deri në 5-ta,” shpjegoi Velo.

Ajo theksoi se është e rëndësishme që fëmijët të shmangin përdorimin e pajisjeve elektronike për orë të zgjatura.

“Këshilla ime është që fëmijët të shkëputen plotësisht nga mjetet elektronike, të kalojnë më shumë kohë jashtë, duke bërë ecje dhe duke studiuar nga librat, jo nga telefonat dhe lojërat. Rastet problematike që janë evidentuar janë shpesh të fëmijëve që nuk kanë pasur kujdes për shikimin ose qëndrojnë gjatë para ekranit të telefonit dhe lojërave,” tha ajo.

Ky program depistimi thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit për shëndetin vizual të fëmijëve dhe nevojën për një përdorim më të kujdesshëm të teknologjisë nga ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat