Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur sot të lërë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës, Ken Dhima.
Vendimi u shpall nga trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga gjyqtaret Ina Rama (kryesuese), Albana Shtylla (relatore), Mimoza Tasi, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz (anëtare), për çështjen nr. 74/2021, datë 26 nëntor 2021
Ky vendim vjen pas ankimit të bërë nga Ken Dhima kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), nr. 428, datë 29 korrik 2021.
‘Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 428, datë 29.07.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Ken Dhima. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në njoftim.