Çfarë tregojnë akuzat ndaj Ilir Beqjes e ish-zëvendësit të tij Klodjan Rjepaj

Shqipëria

Çfarë tregojnë akuzat ndaj Ilir Beqjes e ish-zëvendësit të tij Klodjan Rjepaj

Më: 16 janar 2025 Në ora: 20:32
Çfarë tregojnë akuzat ndaj Ilir Beqjes e ish-zëvendësit të tij Klodjan Rjepaj

Në progres raportet për periudhën 2016-2020, vazhdimisht Komisioni Europian ka ngritur shqetësimin për ligjin për koncesionet dhe PPP-të, i cili deri në vitin 2020 lejonte një bonus deri në 10% më shumë pikë për propozimet e pakërkuara në të gjitha fushat që i nënshtrohen ligjit për koncesione dhe PPP.

Ky ndryshim me bonus, i cili është bërë në 2015 solli edhe shpërthimin e numrit të lartë të kontratave PPP dhe koncesione paralelisht me ligjet me porosi.

Sipas deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka shumë arsye që investitorët e huaj nuk marrin pjesë sot në gara publike, duke u ndalur te koncesionet.

“Investitorët e huaj besojnë se gara publike është e mbyllur në momentin kur janë publikuar kriteret e tenderit dhe ky mosbesim te institucionet shqiptare reflektohet me shumë më pak investitorë të huaj në punë publike, në gara publike sidomos në koncesione. Po të shohim kontratat koncesionare që janë në vlerë të madhe, nuk rezulton të ketë asnjë investitor të huaj“, u shpreh deputetja Tabaku.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se hetimet e profilit të lartë të SPAK-ut, që përfshijnë disa nga projektet më të mëdha të koncesioneve dhe PPP-ve, tregojnë se si korrupsioni, mund të rrisë koston e investimeve publike. FMN-ja gjithashtu nënvizon se Shqipëria ka një politikë të dobët në menaxhimin e fondeve publike.

Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preci, kemi një numër të madh të prokurimeve publike që Open Data Albania i identifikon me flamur të kuq, pra me mungesë konkurrence.

Përqindja e tenderave fitues është përafërsisht sa fondi limit dhe këto janë dëshmi që nga njëra anë mungon konkurrenca, janë paracaktuar fituesit“, tha eksperti Preci.

Në 10 vitet e fundit, sipas Open Data Albania zbulohet se 75% e koncesioneve dhe PPP-ve janë realizuar pa garë, ku një pjesë e atyre që kanë patur konkurrencë janë skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke sjellë edhe përplasje në Komisionin e Prokurimeve Publike, raste që kanë përfunduar në Prokurori.

Në rastet e përfshira nga FMN-ja është rasti i tre inceneratorëve, inceneratori i Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, të cilat janë pa garë sepse ka marrë pjesë vetëm kompania fituese. Dy prej këtyre kontratave janë me propozim të pakërkuar dhe me bonus nga qeveria shqiptare, duke kufizuar konkurrencën.

Për të treja rastet u hapën hetimet në vitin 2020 pas kallëzimit në SPAK nga Partia Demokratike, për një nga superaferat që ka ekspozuar bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar me biznesin në dëm të interesit publik.

Një ndër këto raste që i referohet FMN-ja për fryrjen e kostove publike janë edhe koncesionet e shëndetësisë, ku aktualisht është arrestuar ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, ish zv.ministri i tij Klodjan Rjepaj dhe shoku i ish zv. ministrit Ilir Rrapaj si përfitues i koncesionit të sterilizimit.

Ky është rasti i parë që Gjykata e Posaçme me gjyqtare të çështjes Florjedha Davidhi i ka kërkuar SPAK-ut ndryshimin e akuzës duke e rikualifikuar nga shpërdorim detyre, në vjedhje si grup kriminal, ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë të partisë në pushtet.

Në total, sipas të dhënave nga Open Data Albania deri në vitin 2025, të katra koncesionet e shëndetësisë u kanë kushtuar shqiptarëve 29,5 miliardë lekë ose 295 milionë euro, ku vetëm sterilizimi ka marrë 118 milionë euro.

Aktualisht të 4 koncesionet e shëndetësisë janë nën hetim nga SPAK dhe 3 prej tyre janë miratuar gjatë kohës që Ilir Beqaj ka qenë ministër i Shëndetësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat